Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti përmes një video mesazhi tha se qeveria e drejtuar nga Vetëvendosje, zotohet të luftojë kriminalitetin.
Ai foli në lidhje me projektligjin e kaluar të martën në Kuvend, i cili parashikon konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe të pajustifikueshme.
“Ka vite e dekada që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë është i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, zhvatjes e plaçkitjes e shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia”, u shpreh Kurti të mërkurën në një mesazh të shpërndarë në Facebook.
Ai tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit VV premtoi se do ta luftojë korrupsionin dhe krimin dhe do të konfiskojë pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme.
“Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij, duke filluar nga përkufizimi i pasurisë së paligjshme”, tha ai.
Pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet, sqaroi Kurti.
“Shembull i tillë është kur pasuria që një person posedon nuk përkon me nivelin e të ardhurave të ligjshme mujore dhe veprimeve tjera të ligjshme”, shtoi ai.
Ai tha se kanë parë hezitim nga organet e rendit për të ndjekur pasurinë e paligjshme, aktakuza jo mirë të përgatitura dhe një zvarritje e gjatë e proceseve gjyqësore që ka bërë që shumë lëndë të parashkruhen dhe si rrjedhojë edhe të humbet mundësia për konfiskim.
Kurti tha se ligji i ri nuk do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore në fushën e konfiskimit.
Në fakt, e gjithë korniza ligjore ekzistuese do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të luftuar kriminalitetin.
“Për më tepër, konfiskimi civil do të shërbejë si mjet i fundit dhe nuk do përvetësojë, në parim, primatin e konfiskimit tradicional penal”, tha ai.