Kurti: Teza për shkëmbime territoresh me Serbinë uli dëshirën për bashkim kombëtar

Nga Stafi i Exit
Kurti: Teza për shkëmbime territoresh me Serbinë uli dëshirën për bashkim kombëtar

Projektet për shkëmbime territoresh kanë ndikuar në rënien e dëshirës për bashkim kombëtar. Kështu analizoi Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti gjatë emisionit Open në Top-Channel.

Sipas një sondazhi të kryer së fundmi nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile rezultoi se vetëm 54 për qind e kosovarëve e dëshironn bashkimin me Shqipërinë.

Në studion e gazetares Eni Vasili, Zoti Kurti, i cili ishte më i votuari në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, ia faturoi këtë rezultat të sondazhit efekteve të marrëveshjeve për shkëmbime territoresh:

“Unë besoj se rënia gjatë këtyre dy viteve (e dëshirës për bashkim kombëtar) ka ndodhur nga teza e shkëmbimit të territoreve. Njerëzit nuk duan të japin Mitrovicën për bashkimin me Shqipërinë. Ne në bashkim kombëtar nuk zvogëlohemi por bëhemi më të mëdhenj. Qytetarët e duan bashkimin me Bujanovcin, Medvegjën dhe Preshevën por nuk besojnë se ka politikan serb që i japin ato vende. Në Serbi nuk ka asnjë politikan që flet për falje territori. Qytetarët kaë frikë dhe besojnë se ka politikanë në Kosovë që e japin veriun.”

Më 28 nëntor Vetëvendosje ka thirrur një marrëshim në Tiranë për të nxitur reflektim dhe ndërgjegjësim politik rreth bashkimit kombëtar, qëllim të cilin partia e Zotit Kurti nuk e ka fshehur asnjëherë dhe nuk ka ndryshuar:

“[…] nuk konsiderojmë që shqiptarët janë të varfër e të papunë për shkak të kulturës së Shqipërisë, ose prej pasjes ose mospasjes, por për shkak të modelit të gabuar politik. Kemi rimarrë një ide të braktisur, s’është e jona, bashkimi kombëtar na bën ne më shumë se ne e bëjmë në atë, ai na bën ne dhe ne e përbëjmë atë.”

Gjatë debatit televiziv Zoti Kurti tha se do të luftonte oligarkët dhe korrupsionin. Për “mini-shengenin” ishte kundër, por që do ta diskutonte me komunitetin e biznesit në Kosovë, nëse Serbia do të kishte marrëdhënie reciprociteti. Ai tha se Beogradi kërkon të shfrytëzojë nga një ide e tillë autostradat dhe rrugët e Kosovës në një kohë kur ajo nuk njeh as shtetin dhe as lejet e drejtimit të qytetarëve të saj.

Kryetari i Vetëvendosjes theksoi se ishte për marrëdhënie të mira me qeverinë e Shqipërisë ndërsa rikujtoi qëndrimin për sa i përket Presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të japë dorëheqje ose në të kundërtën duhet shkarkuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>