Qeveria e Kosovës i bëri të dielën thirrje diasporës për t’u solidarizuar në ndihmë të situatës që po kalon vendi, pasi sistemi shëndetësor nuk po ka fondet e mjaftueshme për ta përballuar epideminë.
Përmes një videomesazhi të postuar në Facebook, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u kërkoi shqiptarëve të Kosovës që janë rezidentë në vendet e tjera, që të kontribuojnë për tejkalimin e situatës.
Kurti kujtoi momentet e vështira të kaluara më parë nga kosovarët, sidomos në periudhën e luftës dhe pas-luftës.
Ai u shpreh se remitancat e kanë ndihmuar gjithmonë vendin, por argumentoi se problemet ekonomike dhe mungesa e fondeve për të përballuar emergjencën e Covid-19 e ka vënë në vështirësi të ardhmen e afërt të Kosovës.
Për këtë Kurti ftoi qytetarët që jetojnë jashtë vendit që të dhurojnë para, të cilat do ta ndihmonin më shumë sistemin shëndetësor në përballimin e epidemisë.
Në videon e Kryeministrit u vunë publike edhe numrat e llogarisë.
Prej 13 marsit, ku u diagnostikua i infektuari i parë, e deri të dielën, 12 prill, Kosova ka pikasur 218 persona me Covid-19, prej të cilëve 7 kanë vdekur.