Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, Partia Socialiste (PS) mori pushtetin me shumicë të plotë dhe do të formojë qeverinë e vetme – një zhvillim që vendi nuk e ka parë që nga viti 2001. Zgjedhjet paraqesin një mundësi unike për një vend që lufton për të ndjekur një agjendë ambicioze reformash drejt integrimit evropian, por që është dëmtuar nga ndarjet politike dhe koalicionet.
Nga ana tjetër, historia e rajonit, gjatë kohëve të fundit, është e mbushur me liderë “të fortë dhe të qëndrueshëm”, të cilër gjatë mandateve qeverisëse kanë treguar sjellje autokratike e antidemokratike – Nikola Gruevski i Maqedonisë, Boris Tadiç i Serbisë dhe Sali Berisha i Shqipërisë janë vetëm disa nga shembujt.
Mundësia për reforma do të jetë e realizueshme vetëm nëse qeveria e re shqiptare dhe kryeministri i saj karizmatik, Edi Rama, mbahen nën kontroll nga institucione të tilla si gjyqësori dhe ekzekutivi, nga opozita, media, shoqëria civile dhe të rinjtë e vendit.
Aktorët e jashtëm si BE dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu mund të ndikojnë pozitivisht në politikën e Shqipërisë. Për fat të keq, aktorët e brendshëm dhe të jashtëm përballen me sfida serioze dhe fitorja e Partisë Socialiste nuk ka gjasa që t’i bëjë gjërat më mirë.
Institucionet shtetërore: gjyqësori dhe ekzekutivi
Pavarësisht miratimit të reformës gjyqësore kohët e fundit, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është joefektiv dhe gjyqtarët e prokurorët përpiqen të mbajnë grupimin e tyre të pastër, pa pasur asnjë aftësi për mbikëqyrur aktorët politikë.
Aktorët kryesorë politikë janë po aq të dobët. Presidenti i ri i sapozgjedhur, Ilir Meta, u gjykua për korrupsion dhe abuzim me detyrën në 2011-ën. Edi Rama vetë i referohej Metës si “përfaqësues i gjithçkaje që është kalbur në politikën shqiptare“, deri në vitin 2013.
Edhe pse fitorja e socialistëve mund të përshpejtojë reformën në drejtësi, marrëdhëniet e mëparshme të Ramës me Metën tregojnë se qeveria e re mund të kërkojë marrëveshje të mëtejshme me LSI-në dhe themeluesin e saj – kjo do të ishte një goditje serioze për ndërtimin e institucioneve, pasi presidenti duhet të jetë mbi politikat e partisë.
Opozita
Opozita e Shqipërisë është rrëmujë. Partia Demokratike, prej disa kohësh, po kalon një periudhë konflikti të brendshëm, që është përkeqësuar pas humbjes në zgjedhje. Vendimi i tij i marrë pak javë më parë, për të braktisur bojkotin zgjedhor dhe për të marrë pjesë në zgjedhje ishte një veprim i zgjuar, por humbja mund të çojë në rrëzimin e partisë.
Partitë e tjera të opozitës nuk janë në pozitë më të mirë. E ardhmja e LSI-së mund të forcohet vetëm nga rizgjedhja e Metës në kye të saj- ai ka treguar se ka qënë një lider i suksesshëm i partisë në të kaluarën dhe ka tendencë të kujdeset për të vetët – por baza elektorale e partisë ka rënë dhe mungesa e posteve publike mund të jetë një test i vështirë për të në afat të gjatë dhe mund ta bëjë partinë të varur nga PS.
Partitë e tjera, si Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), kryetari i së cilës ka humbur vendin e tij në parlament, kanë pak aftësi për të kontrolluar qeverinë dhe ka gjasa të përballen me sfidat e lidershipit pas zgjedhjeve.
Shoqëria civile dhe media
Shoqëria civile shqiptare ka bërë përparime të dukshme gjatë viteve 1990 dhe 2000. Por zhvillimi i saj i mëtejshëm është penguar nga një kapital i ulët social. Performanca e dobët e aktorëve qeveritarë ka sjellë mosbesim të përgjithshëm në institucione dhe mungesë të mbështetjes financiare për shoqërinë civile. Si rezultat, shoqëria civile nuk ka pasur zhvillim thelbësor për më shumë se një dekadë.
Konsolidimi afatgjatë i pushtetit dhe burimeve shtetërore në duart e një partie mund të jetë një sfidë për rritjen dhe elasticitetin e shoqërisë civile, duke vënë në rrezik pluralizmin e shoqërisë civile.
Media shqiptare përballet me pengesa të ngjashme. Megjithëse ka përmirësim në aspektin ligjor dhe transparencën e medias, të publikosh materiale kritike ndaj qeverisë apo të denoncosh korrupsionin mbeten ende detyra të rrezikshme dhe të vështira. Qeveria, e cila tashmë ka shumicë të fortë në parlament do të rrisë presionin mbi median publike dhe ka gjasa të forcojë anshmërinë pro-qeveritare të transmetuesve publikë.
Të rinjtë
Shqipëria zakonisht kryeson listën e popullsive më të reja të Evropës (në garë të ngushtë me Kosovën fqinje), megjithatë pjesëmarrja e të rinjve mbetet shumë e ulët në të gjitha nivelet. Si të dhënat demografike, ashtu dhe shifrat për emigrimin e të rinjve nga Shqipëria ofrojnë pak burim optimizmi – të rinjtë po largohen nga vendi pa e menduar dy herë.
Rritja e theksuar e papunësisë së të rinjve dhe dëshira në rritje për të emigruar tregojnë se qeveria e PS-së nuk ka shumë për të ofruar. Fakti që pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët në zgjedhjet e fundit ka luajtur në favor të qeverisë nuk është e favorshme për reformën zgjedhore apo depolitizimin e institucioneve zgjedhore.
Bashkimi Evropian dhe SHBA
Siç tregon shembulli i Serbisë, BE-ja është shumë e lumtur për të zgjidhur dilemën e “demokracisë dhe stabilitetit” në favor të kësaj të fundit dhe për të bashkëpunuar me qeveritë e qëndrueshme në rajon, duke u dhënë prioritet qëllimeve afatgjata për plotësimin e mangësive në sistemin zgjedhor apo procesin demokratik.
Shfaqja e një mazhorance të fortë të PS-së nën udhëheqjen e Ramës mund të jetë e mirë për procesin e integrimit evropian të vendit, por ul mbikëqyrjen apo përfshirjen e drejtpërdrejtë të BE-së në forcimin e pluralizmit politik dhe forcimin e shoqërisë civile. Politika e SHBA-ve në Ballkan po kalon një periudhë tranzicioni të dhimbshme – mungesa e udhëheqjes në Departamentin e Shtetit (mungesa e emërimeve të sekretarëve) ka sjellë reagime të pakoordinuara, pasi Uashingtoni dhe ambasadat flasin me zëra të ndryshëm. Pavarësisht fuqisë dhe ndikimit (shih krizat e fundit politike në Maqedoni dhe Kosovë), SHBA-ja nuk pritet të marrë drejtimin nën “mbretërimin e Ramës” në të ardhmen e afërt.
Tjetër?
Duke pasur parasysh të gjithë faktorët e mësipërm, rreziqe të mëdha shfaqen përpara për Shqipërinë. Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste do të jenë më pak të kontrolluara e të balancuara si dhe pritshmëritë e larta ndaj tyre do të jenë të vështira për tu menaxhuar. Si partia në pushtet ashtu edhe qeveritarët do të duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, vetëkontroll dhe maturi politike të jashtëzakonshme në zbatimin e planeve të tyre të politikave duke marrë parasysh interesat dhe aksionet e të gjithë aktorëve të tjerë politikë dhe socialë.
Ky artikull u publikua fillimisht tek EUROPP dhe u përkthye nga Exit.al