Ligji për median, Kuvendi nuk do të zbatojë rekomandimet e Venecias

Nga Exit News
Ligji për median, Kuvendi nuk do të zbatojë rekomandimet e Venecias

Kuvendi do të miratojë ligjin për median pa kryer ndryshimet e rekomanduara nga Komisioni i Venecias. Lajmi u dha në një njoftim për media nga 17 organizata të Shoqërisë Civile, të premten (11 shtator).

Në njoftim shkruhet se organizatat u informuan në mënyrë jozyrtare se shumica socialiste do të ndryshojë ligjin për median pa marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Shumica socialiste do të bëjë në ligj vetëm ndryshimet për të cilat “Presidenti ka pasur vërejtje”, shkruhen në njoftimin për shtyp.

Ato kërkojnë rinisjen e procesit të konsultimit nga fillimi, në mënyrë që ligji të hartohet sipas “Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes”.

Ato kërkojnë kontrollin e lajmeve të rreme dhe të papërgjegjëshme me mekanizmin e vetërregullimit.

Madje, përfaqësuesit e organizatave shprehen të gatshëm të ndihmojnë Kuvendin në hartimin e një ligji të ri.

Ligji për median (paketa anti-shpifje)

Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike” (AKEP).

Ndryshimet u miratuan në 18 dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.

Pasi këmbënguli se do t’i rimiratonte pa i ndryshuar, më 30 janar, qeveria tha se u tërhoq nga rivotimi i nismës me argumentin se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias, kërkuar nga Këshilli i Evropës më 23 janar.

Ndërsa më 3 shkurt, dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, dërgoi në Komisionin e Venecias rishikimet e bëra nga OSBE në paketën “anti-shpifje” për një opinion ligjor.

Paketa ligjore është kundërshtuar gjerësisht nga BE, KiE, OSBE, gazetarëtorganizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias dhe eurodeputetë, pavarësisht pretendimeve të qeverisë se propozimet janë konsultuar me OSBE-në.

Rekomandimet e Komisionit të Venecias

Në opinioni e publikuar në qershor , Komisioni pohon se dhënia e kompetencave të zgjeruara AMA-s cenon lirinë e medias. KV u shpreh se media online duhet të ketë një proces të drejtë nga çdo vendim adminsitrativ, përpara gjykatës dhe sanksionet duhet të jetë në proporcionale.

Komisioni u shpreh se “është e nevojshme të sigurohet se masat ligjore dhe gjyqësore të jenë efektive në luftën e shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes.”

Në përfundim, Komisioni i Venecias mbështeti idenë e ”funksionimin me vetërregullim dhe respektim të sistemit të llogaridhënies së medias online.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>