Lëvizja Socialiste për Integrim do të zgjedhë sot kryetarin e saj të ri, pas zgjedhjes së Ilir Metës President i Republikës dhe dorëheqjes nga posti i kryetarit të LSI.
Konventa Kombëtare e LSI-së që do të mblidhet në orën 16:30 do të votojë dy propozimet e Komitetit Drejtues Kombëtar: zgjedhjen e Petrit Vasilit si Kryetar dhe zgjedhjen e Monika Kryemadhit si Zëvendëskryetare.
Gjatë konvetës është parashikuar dhe mbajtja e fjalimit të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili do të mbajë postin e tij deri më 24 korrik, ditë kur fillon mandati i presidentit të ri.
Kandidimi i Petrit Vasilit, aktualisht Ministër i Drejtësisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, u propozua nga Zoti Meta gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, më 30 prill.
Zoti Meta i kërkoi strukturave drejtuese dhe anëtarëve të LSI-së të mbështesni Zotin Vasili në krye të LSI-së.
“Orientimi i LSI drejt të ardhmes dhe në funksion të të rinjve është garancia që ju në këto zgjedhje edhe me kryetar Petrit Vasilin do të arrin një sukses të pamenduar. Ti japim një shans Petrit Vasilit të jetë njëshi i LSI apo jo?! Me përkrahjen tuaj mund të bëhet edhe njëshi i qeverisë,” deklaroi Zoti Meta.