1170 dozat e vaksinës anti-Covid ardhur nga kompania Pfizer do të përdoren për të vaksinuar mbi 650 mjekë e infermierë me dozën e dytë.
Pas mjekëve, do të nisë vaksinimi i të moshuarve, fillimisht i atyre që jetojnë në shtëpitë e kujdesit.
Kështu deklaroi Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të martën, teksa vizitoi stadiumin AirAlbania, ku ka nisur vaksinimi i mjekëve.
Ajo tha se 1000 vaksinatorë janë gati për të nisur vaksinimin masiv të popullsisë sapo kompania Pfizer të dërgojë pjesën tjetër të dozave.
Manastirliu tha se ministria ka hartuar tre skenarë për vaksinimin e popullatës, ku më ambiciozi është ai që zgjat 14 muaj.
“Plani ynë përfshin të gjithë popullatën, përpos atyre që kanë sëmundje të caktuara që nuk lejohet vaksinimi ose nën 18 vjeç, pasi nuk ka të dhëna për infeksione tek ta. Jemi gati për të nisur procesin, kur të vijnë dozat e vaksinave,” u shpreh ajo.