Mandati i Dvoranit—KLGJ shpërfill Kushtetutën, u kërkon mendim ndërkombëtarëve

Nga Megi Ndregjoni
Mandati i Dvoranit—KLGJ shpërfill Kushtetutën, u kërkon mendim ndërkombëtarëve

Çështja e largimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, po hedh dyshime serioze mbi pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi të martën t’i kërkojë mendim ‘partnerëve ndërkombëtare’ për çështjen e mbarimit ose jo të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, pa specifikuar se cilët janë këta partner dhe mbi çfarë bazë KLGJ e kërkon këtë mendim.

Mandati i Adrian Dvoranit ka mbaruar që në vitin 2014 dhe pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, para disa muajsh, drejtësia ndeshet me çështjen nëse Dvorani duhet të dorëzojë mandatin, që deri tani e ka mbajtur me pretendimin se i takon ta mbajë deri në zëvendësimin e tij.

Vendimi i KLGJ-së për ta deleguar, praktikisht, këtë çështje kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor shqiptar tek organizma jashtë sistemit të drejtësisë është vendim i paligjshëm që, gjithashtu, dëmton rëndë legjitimitetin e KLGJ-së.

Kushtetuta parashikon se anëtari i ri i Gjykatës së Lartë zëvendëson anëtarin të cilit i ka mbaruar mandati. Neni 139 i Kushtetutës përcakton se mbarimi i mandatit të bëhet me vendim të Gjykatës së Lartë.

Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mandati shumë më herët se të gjtihë anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, që thotë se zëvendësimi i vendeve në Gkykatën e Lartë bëhet sipas rradhës së mbarimit të mandatit, vendi i Dvoranit duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe ai duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë.

Dvorani nuk e bëri këtë veprim dhe prandaj lindi nevoja e ndërhyrja së organeve të drejtësisë për të vendosur për këtë cështje.

Kushtetuta dhe Ligji për Statusin, ja njeh të drejtën të vendosë për mandatin e anëtarëve të saj, vetë Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, KLGJ duhet t’ja kishte deleguar Gjykatës së Lartë çështjen e mandatit të Dvoranit.

Por KLGJ vendosi ta marrë ajo këtë kompetencë në mënyrë të paligjshme. Pas këtij uzurpimi, KLGJ vendosi se nuk është e aftë të marrë një vendim për këtë çështje vetë.

Por edhe pasi konstatoi paaftësinë e saj pasi nuk është në gjendje të intepretojë Kushtetutën dhe rrethanat konkrete, në vend që KLGJ t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, ose madje Komisionit të Venecias, ajo ka zgjedhur të marrë mendim jashtë sistemit të drejtësisë dhe jashtë institucioneve kushtetuese shqiptare.

Pa asnjë justifikim ligjor, KLGJ vendosi t’ja besonte këtë çështje të rëndësishme “partnerëve ndërkombëtarë” të papërcaktuar. Me gjasa bëhet fjalë për misionin EURALIUS dhe OPDAT, të cilat janë misione të asistencës teknike por nuk mund të ofrojnë opinione ligjore.

Objekti i veprimtarisë së tyre kufizohet deri në dhënien e asistencës teknike ndaj instutucioneve të reja të drejtësisë, por kurrsesi në interpretime ligjore apo kushtetuese.

Kushtetuta përcakton se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të bëjë interpretime të saj.

Nëse KLGJ kërkon një interpretim kushtetues mund të dërgojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë ajo ka kuorumin ligjor për të pranuar ose jo kërkesa.

Duke qënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime në këto kushte pasi nuk ka mjaftueshëm anëtarë, ekziston një rrugë tjetër ligjore e institucionale. KLGJ mund të kërkonte nga Komisioni i Venecias, një opinion ligjor në lidhje me mbarimin ose jo të mandatit të gjyqtarit Dvorani.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>