Presidenti Ilir Meta, në një aktivitet ndërgjegjësues mbi Ditën Botërore të Mjedisit, bëri thirrje për mbrojtjen e Vjosës dhe shpalljen Park Kombëtar.
“Të mbrojmë Vjosën, lumin e fundit të madh e të egër të Europës, që rrjedh tërësisht i pandërprerë nga Malet e Pindit në Detin Adriatik, duke e shpallur atë sa më shpejt, së bashku me Shushicën dhe Bënçën, degët kryesore që e furnizojnë me ujë, Park Kombëtar,” deklaroi Meta.
Ai u shpreh më herët se vendimmarrja e papërgjegjshme në vend po rrezikonte mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm për brezat e ardhshëm dhe ishte detyra e të gjithëve ta mbronin mjedisin.
“Pa një rigjenerim, rigjallërim, respektim dhe mbrojtje të gjithçkaje, që mjedisi na ka dhënë, nuk mund të kemi një të ardhme të qëndrueshme dhe as zhvillim të qëndrueshëm” tha Meta.
Ai falenderoi aktivistët dhe shkencëtarët e angazhuar në mbrojtje të mjedisit dhe shtoi se sot më shumë se kurrë vendi ksihte nevojë “për t’u mbrojtur me dashuri dhe përkushtim“.
Rikujtojmë se presidenti bëri të njëjtën thirrje për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar edhe dy ditë më parë.
Më shumë për këtë çështje mund të lexoni këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.