Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK: Pajisi me certifikata sigurie Cakajn brenda 24 orëve

Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK: Pajisi me certifikata sigurie Cakajn brenda 24 orëve

Presidenti Meta kërkoi sot ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, DSIK për procesin e ndjekur nga ajo për pajisjen me certifikatat e sigurisë për Zotin Gent Cakaj, I propozuar nga Kryeministri Rama si Ministër i Jashtëm.

Kërkesa i është dorëzuar sot Kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi.

Një ditë më parë, presidenti Meta lajmëroi mosdekretimin e Cakajt në krye të ministrisë së Jashtme. Ndër argumentet kryesorë të Metës për këtë vendim ishte pajisja e Cakajt me certifikata sigurie nga DSIK-ja në shkelje të ligjit.

Siç Exit.al ka sqaruar më parë, shkeljet e DSIK gjatë procesit të pajisjes me certifikata sigurie të Zotit Cakaj janë:

 – DSIK, institucion nën varësinë direkte të Kryeministrit, e ka lëshuar certifikatën e sigurisë për Gent Cakajn brenda një dite nga aplikimi i tij.  Cakaj e ka bërë aplikimin në datën 3 janar dhe DSIK e ka pajisur atë me certifikatë në datën 4 janar. Brenda një dite DSIK ka lëshuar certifikatë sigurie të nivelit më të lartë për njohjen me informacione të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të BE-së, me vlefshmëri pesëvjeçare. DSIK nuk ka kryer një proces të mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në aktet ligjore.

  – Cakaj ka qenë i detyruar me ligj për të aplikuar tek DSIK për certifikatë sigurie kur ai është emëruar zëvendës-ministër, në muajin qershor 2018. Cakaj nuk e ka kryer këtë detyrim.Ai ka qëndruar në postin e tij për mëse shtatë muaj pa certifikatat e domosdoshme të sigurisë.

  – Gent Cakaj është lindur në Kosovë dhe ka jetuar në Kosovë, Hungari dhe Belgjikë. DSIK ka pasur detyrimin ligjor për të kryer një verifikim të thelluar në këto shtete të të dhënave të paraqitura nga Gent Cakajt. DSIK duket se nuk e ka kryer këtë procedurë.

  – Procesi i verifikimit nga ana e DSIK nuk është kryer i plotë, nuk ka qenë objektiv, por është kryer në kushte urgjence dhe në përmbushje vetëm të procedurës, duke lënë mënjanë rëndësinë e përmbajtjes.

DSIK-ja luan institucion kyç në reformën në drejtësi, në procesin e rivlerësimit të magjistratëve. Ajo i jep informacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) rreth pastërtisë së figurë së gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Problemi i ngritur nga Presidenti Meta për rastin e zotit Cakaj vë në pikëpytje rolin e DSIK-së në procesin e rivlerësimit të magjistratëve dhe dëmton besueshmërinë e reformës në drejtësi.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>