Presidenti Meta kritikoi ashpër Kryeministrin Rama për fyerjet në drejtim të liderëve të Kosovës Hashim Thaçi e veçanërisht Ramush Haradinaj, me të cilin Rama shkëmbeu replika të forta për mini-Shengenin e Ballkanit.
Në një intervistë për emisionin 360 gradë, Presidenti Meta deklaroi:
“Fyerjet e këtij individi [Ramës] ndaj liderëve politikë të Kosovës janë totalisht të papranueshme. Ti nuk mund të hash dreka e darka me udhëheqësit e Serbisë dhe nga ana tjetër te fyesh politikanet e Kosovës.
Sa u përket akuzave te Rames ndaj Ramushit, nuk me shqetësojnë sepse te gjithë e dinë se ai te vërtetat e tij i ka mbrojtur në çdo nivel. Rama nuk mund të eksportojë konfliktet e brendshme në Kosovë.”
Presidenti Meta tha se kryeministri Rama ka tentuar dhe më parë të bëjë provokime të qëllimshme për të përkeqësuar situatën mes Kosovës e Serbisë. Zoti Meta përmendi propozimin e Ramës për të pasur një president të përbashkët për Kosovën e Shqipërinë:
“Përse duhej një deklaratë e tillë? Më e pakta serbët e përdorin dhe thonë përse duhet t’a njihni Kosovën të pavarur, këta do bashkohen me Shqipërinë.”
Lidhur me projektin e Kryeministrit Rama dhe Presidentit serb vuçiç për mini-Shengenin e Ballkanit, presidenti Meta tha se Rama po përdor si alibi mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së pasi nuk ka arritur të bindë qytetarët se ky projekt është pozitiv:
“Kjo është një alibi. Ai [Rama] që thotë se këtë e mbështet SHBA dhe BE-ja është një alibi pasi nuk arrin dot të bindë me këtë ide. Përralla të tilla kam dëgjuar shumë. Këto janë histori pa asnjë lloj kuptimi.”
Presidenti Meta tha se deri më sot shumë marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk ka funksionuar për shkak se kjo e fundit nuk i ka firmosur apo zbatuar ato.