Mbas një sërë postimesh kulturore të ditëve të fundit, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca bëri, para dy ditësh, një pohim për një çështje të rëndësishme, reformën në drejtësi. Në një deklaratë për media ai u shpreh:
Reforma në drejtësi është një çështje e ndërlikuar dhe komplekse. […] Është si puna e karburantit, që është dashur pak kohë që karburanti të shkojë tek motori, tani që motori do të ndizet, do të kemi të gjitha SPAK, BKH dhe natyrisht edhe Gjykatën Kushtetuese. Ne po ndjekim strategjinë 2019-2023. Në fakt karburanti ka qenë naftë, sepse karburanti naftë është më i mirë dhe zgjat më shumë.
Është një metaforë mediokre, por që më shumë se nivelin intelektual të ambasadorit tregon dështimin e imagjinatës së burokratëve europianë për të mbrojtur një reformë të hartuar keq dhe në mënyrë amatoreske, e cila ka dështuar në mënyrë spektakolare të paimagjinuar edhe nga kundërshtarët më të fortë të saj.
Sidoqoftë, ajo që ka dashur të thotë Ambasadori është se, pasi zbatimi i reformës rrënoi të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë—vendi ka mbetur prej një viti pa Gjykatë Kushtetuese si asnjë vend më parë në botë; ka mbetur praktikisht pa Gjykatë të Lartë, si asnjë vend më parë në botë; ka mbetur prej më shumë se një vit me një prokurore të ngarkuar me detyrat e Prokurorit të Përgjithshëm, që ushtron kompetenca që nuk i ka, duke shkatërruar sistemin e prokurorisë; ka mbetur pa institucionet e reja të drejtësisë dy vjet pas mbarimit të afteve kushtetuese për krijimin e tyre—më në fund, tani, këto institucione po krijohen dalëngadalë.
Vini re sa është ulur ambicja e reformës në drejtësi: tashmë arritje është mjaft të ekzistojnë formalisht institucionet e drejtësisë, pavarësisht nëse janë në gjendje apo jo të bëjnë drejtësi.
Duhet rikujtuar se reforma në drejtësi u justifikua dhe u shit për përmbushjen e tre objektivave: 1. çlirimin e sistemit të drejtësisë nga kontrolli dhe ndikimi i politikës; 2. pastrimin e sistemit nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit; dhe 3. largimin nga sistemi të magjistrantëve të paaftë profesionalisht.
Qëllimi final që iu premtoi popullit shqiptar ishte se, përmbushja e këtyre objektivave, do të bënte që politika të pastrohej nga krimi dhe korrupsioni, dhe Shqipëria të mos ishte më një vend që sundohet nga krimi.
Tre vjet e ca pas miratimit të reformës, arritje quhet që vendi thjesht të ketë Gjykatë Kushtetuese, pavarësisht nëse ata që shërbejnë në të janë të ndikuar politikisht, të korruptuar apo të paaftë.
Ndërsa për hetimin dhe dënimin e politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin as që bëhet fjalë edhe pse qeverisja po rrënohet nën peshën e korrupsionit dhe inkriminimit.
Ironia më e madhe në të gjithë këtë situatë është se “drejtësia e re”, nuk ka arritur dot as në nivelin e efikasitetit të drejtësisë së vjetër. Dhjetëra hetime kundër politikanëve dhe grupeve kriminale të filluara nga drejtësia para reformës, po mbyllen apo shkatërrohen nga drejtësia e reformuar. Drejtësia e vjetër e akuzoi dhe hetoi Saimir Tahirin si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës, kurse drejtësia e reformuar pritet që në ditët e ardhshme ta akuzojë vetëm për shpërdorim detyre, apo më saktë për shkujdesje në ushtrimin e detyrës.
Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin dhe disa politikanë të tjerë, drejtësia para reforma filloi t’i hetonte për bashkëpunim me krimin, për manipulimin e votave në shkëmbim të favoreve korruptive, kurse drejtësia e reformuar jo vetëm që i ka zvarritur dhe po i shkatërron hetimet e tyre, por heton gazetarët që informojnë rreth përfshirjes së Vangjush Dakos me krimin.
E gjithë kjo situatë u arrit për faktin se vetingu, është vënë nën kontrollin total të qeverisë dhe është përdorur për të mbajtur në sistem, shërbëtorët e qeverisë dhe për të përjashtuar të tjerët. Anëtarët e komisioneve të vetingut janë zgjedhje problematike, përgjithësisht njerëz pa përvojë, aftësi dhe integritet të provuar, ndaj dështimi i tyre ishte i pritshëm. Por askush nuk kishte parashikuar sfidimin e hapur, që komisionerët e vetingut po i bëjnë ligjit dhe interesit publik, duke marrë vendime haptazi në shërbim të qeverisë, duke rrënuar reformën dhe sistemin e drejtësisë.
Rasti më i freskët është ai i para dy ditëve i konfirmimit të drejtueses së komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila u konfirmua në shpërfillje të hapur të Kushtetutës, të reformës në drejtësi dhe të interesit publik, pasi nuk justifikonte dot pasurinë e saj dhe pranoi hapur se të shkelësh ligjin nuk është gjë e madhe në Shqipëri. Jo rastësisht, Donika Prela drejton prokurorinë që zhvillon hetimet për Saimir Tahirin, Vangjush Dakon dhe një sërë politikanësh të tjerë të përfshirë në lidhje me krimin dhe manipulim të zgjedhjeve.
Konfirmimi më parë i vetë Arta Markut, pavarësisht dhunimeve të ligjit që ajo ka bërë në krye të prokurorisë dhe pavarësisht shkeljes së të drejtave të njeriut, nga neglizhenca gjatë ushtrimit më të hershëm të detyrës, ishte cënim i frymës dhe qëllimeve të reformës në drejtësi. Por natyrisht, konfirmimi i saj ishte thjesht formalitet, pasi ajo është shërbëtorja më e bindur e qeverisë.
Vetingu konfirmoi në detyrë Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhevahir Zaganjori, një nga përfaqësuesit më të spikatur të drejtësisë së vjetër edhe pse ai kishte kryer evazion fiskal dhe zotëronte pasuri të mëdha dhe të pajustifikuara. Në të njejtën mënyrë, u konfirmua në detyrë nga KPK, por u rrëzua më vonë në apel, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Gjyqtari Ardian Dvorani, një tjetër figurë simbol e drejtësisë së vjetër, i cili ka qendruar në detyrë disa vjet jashtë afatit kushtetues dhe në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu, u konfirmua në detyrë edhe pse Inspektoriati i Deklarimit të Pasurisë vlerësoi se gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe vetë gjyqtari nuk arriti dot ta justifikojë as para KPK-së.
KPK konfirmoi edhe prokurorin Besnik Cani, këshilltarin e Arta Markut edhe pse prokurori dhe gruaja e tij mjeke, me rroga publike tërë jetën, kanë arritur të shkollojnë të dy fëmijët ne Vjenë, e të kenë në pronësi dy apartamente të shtrenjta dhe tokë, ndërkohë që prokurori kishte hyrë në biznes edhe me një biznesmen të madh në vend, një marrëdhënie që ONM e vlerësoi në kundërshtim me detyrimet etike të një prokurori. Gjyqtari Ilir Toska, gjyqtar i Apelit Tiranë, i cili tashmë është zgjedhur për shtatë vjet anëtar i anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, u konfirmua në detyrë pavarësisht problemeve me pastërtinë e figurës dhe të pasurisë dhe pavarësisht rekomandimit negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), e cila vlerësoi se në të shkuarën gjyqtari ka pasur kontakte të papërshtatshme apo bashkëpunim me kriminelë. Lista e magjistrantëve të konfirmuar në detyrë, pavarësisht problemeve serioze me deklarimin e pasurive dhe pastërtinë e figurës.
Ndërkohë, për magjistrantë të tjerë, KPK ka vendosur një standard të rreptë: edhe pasaktësitë apo dyshimet më minimale kanë mjaftuar për shkarkimin e tyre.
Ky standard i dyfishtë në mënyrë domethënëse, tashmë, është përqafuar edhe nga Delegacioni i BE-së në Tiranë. Para dy ditësh, i njejti ambasador Luigi Soteca botoi në Twittterin e tij një thirrje për prokurorët, për të aplikuar për anëtarë të SPAK. Thirrja ishte botuar në anglisht dhe shqip. Por, ndërsa në variantin anglisht u bëhej thirrje të aplikonin “prokurorë të përkushtuar dhe të aftë”, në variantin në shqip u bëhej thirrje prokurorëve pa asnjë përcaktim, duke i hequr mbiemrat “të përkushtuar” dhe të “të aftë” nga njoftimi. Tashmë edhe Soreca e di se përkushtimi dhe aftësia nuk kanë asnjë rëndësi për t’u zgjedhur në organet e drejtësisë, e vetmja gjë që ka rëndësi është shërbimi ndaj qeverisë.