Ministria e Financave reagon në mënyrë shpërfillëse dhe të pakuptimtë për raportin e FMN-së

Ministria e Financave reagon në mënyrë shpërfillëse dhe të pakuptimtë për raportin e FMN-së

Ministria e Financave është detyruar të reagojë pas raportit kritik të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për gjendjen e financave të vendit dhe politikat qeveritare. Por në mënyrë të pakuptimtë, deklarata e saj flet për vlerësime që nuk i ka bërë dhe ripërsërit me mburrje për arritjet e supozuara të qeverisë, që në fakt raporti i kritikon.

Në mënyrë të veçantë, raporti i FMN-së mban qëndrime kritike ndaj projekteve të Partneriteteve Publike-Private, dështimin e reformës dhe keqadministrimin e sektorit energjitik, si dhe paralajmëronte për rreziqet në lidhje me planin për themelimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare. Por qendrimi më i ashpër i raportit, ishte mosbesimi ndaj statistikave të botuara nga qeveria, për borxhin publik dhe pagesat e prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve.

Përkundër kritikave dhe këshillave të shqetësuara të FMN-së, reagimi i Ministrisë së Financave ishte tërësisht shpërfillës ndaj tyre dhe theksonte ato pak përfundime të raportit ku nuk kishte kritika.

Reagimi i ministrisë është veçanërisht qesharak, kur flet për borxhin publik:

“Një nga zotimet e Qeverisë për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe gradualisht uljen e borxhit, me qëllim kthimin e klimës së besimit tek ekonomia vendase. FMN rivlerëson në këtë raport, se për vitin 2018 ai është në nivelin 67.2 për qind e PBB-së.”

Por FMN, ndoshta për herë të parë në historinë e saj, ka refuzuar, ndonëse në mënyrë diskrete, të mos njohë statistikat e publikuara nga qeveria për volumin e borxhit publik për të paktën dy vitet e fundit, 2017 dhe 2018.

Sipas Ministrisë së Financave, borxhi publik për vitin 2017 ishte 69,9 për qind, pra, sipas tyre është përmbushur pritshmëria për ta ulur borxhin nën 70 për qind.

Por, sikurse Exit.al, ka raportuar disa herë, veçanërisht në analizën që ne i bëmë auditit të Buxhetit 2017 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, kjo shifër është e manipuluar. Si KLSH edhe FMN shprehen qartë se, borxhi publik në vitin 2017 ishte të paktën 71,9 për qind, duke hedhur poshtë shifrat e Ministrisë së Financave.

Ndërsa për vitin 2018, FMN raporton se borxhi është të paktën 68,6 për qind e prodhimit të brendshëm, duke u shprehur se shifra 67,2 për qind e Ministrisë së Financave ka lënë jashtë pa përfshirë pagesat e prapambetura të qeverisë për shërbime dhe produkte që ajo ka marrë.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve të arta dhe qëndrimeve haptazi, të kundërta me qeverinë nga Fondi Monetar, Ministria është shprehur në reagimin e saj se:

“FMN, përmes raportit të tij të fundit, konfirmon gjithashtu atë që qeveria shqiptare ka arritur në drejtimin e kësaj mazhorance, rritjen më të madhe ekonomike në dekadën e fundit.

Duhet theksuar se, thuajse 7 vjet nga 10 vjetët e dekadës së fundit që përmend njoftimi ka qenë në qeverisje e njejta qeveri. Po Ministria nuk shpreh asnjë shqetësimin për parashikimin e FMN-së për rritjen ekonomike, të vitit 2019 me 3,7 për qind, pra më e ulët se  ajo e vitit 2018.

Ministria nuk mban qëndrim as për rreziqet që FMN parashikon për të ardhmen, që vë në rrezik edhe këtë rrijte të parashikuar. FMN shprehet:

“Megjithë rritjen e prodhimit të brendshëm me 4 për qind në 2018-ën, inflacioni mbeti nën objektivin prej 3 për qindësh. Shqipëria është e ekspozuar fuqishëm ndaj rreziqeve në rritje të ekonomive të vendeve evropiane, veçanërisht të partnerëve të saj kryesorë tregtarë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë mbeten vetëm sa një e katërta e mesatares së BE-së.”

Në mënyrë gati fëminore, Ministria është munduar të gjejë ndonjë koment sado pak pozitiv të FMN-së, duke mos i përmendur fare kritikat, në një raport që qartësisht duhet të shërbejë si alarm për qeverinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>