Misioni EURALIUS si një institucion kolonial

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Misioni EURALIUS si një institucion kolonial

Lexuesit e rregullt të Exit.al mund të kenë ndjekur përpjekjet e mia të vazhdueshme për të zbuluar procesin e vendim-marrjes në lidhje me “opinionin ligjor” për Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm, i cili u hartua nga misioni europian i ndihmës teknike EURALIUS dhe misioni amerikan OPDAT, me kërkesë të Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore Ulsi Manja.

Ky opinion i dha qeverisë Rama “justifikimin” ligjor për të zgjedhur në mënyrë jokushtetuese një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, vetëm me vetëm votat e shumicës socialiste, në dhjetor 2017.

Zgjedhja e PPP-së u kritikua nga organizata ndërkombëtare Freedom House si “minim i pavarësinë dhe besueshmërisë së prokurorisë në hetimin e çështjes delikate të ish-ministrit Tahiri”. Pasojat e kësaj zgjedhjeje janë tashmë të njohura.

PPP Arta Marku ndërhyri drejtpërdrejt në çështjen Tahiri duke shkarkuar Drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe duke e zëvendësuar atë me shoqen e saj të ngushtë Donika Prela.

Duke shpërfillur kufizimet kushtetuese të kompetencave të saj, pastaj, Marku pezulloi dy prokurorë të tjerë dhe më pas krijoi “njesi prokurorësh të posaçëm” në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm Xhafaj, ndëkohë që krijimi i SPAK-ut është ende i bllokuar për shkak të ecurisë të ngadalshme të procesit të vetingut.

Thënë shkurt, “opinioni ligjor” i bashkëhartuar nga EURALIUS është shkaku i një situate antikushtetuese dhe vakumi ligjor, i cili ka mbetur i pazgjidhur pasi vetë Gjykata Kushtetuese është bërë jofunksionale për shkak të vetingut.

EURALIUS fillimisht e refuzoi kërkesën time për të më dhënë një kopje të “opinionit ligjor”. Pas refuzimit të tyre, unë paraqita një kërkesë, bazuar në ligjin mbi lirinë për informacion, pranë Komisionit Evropian. Komisioni, më pas, pohoi (siç u vertetua më vonë, në mënyrë të gënjeshtërt) se EURALIUS kishte hartuar vetëm një herë ndonjë dokument të tillë për dhënie opinioni ligjor.

Pasi i kërkova Komisionit Europian kontratën e nënshkruar me konsorciumin e organizatave që zbatojnë projektin EURALIUS, zbulova se opinioni ligjor i lëshuar nga EURALIUS ka shkelur Procedurat Standarde të Veprimit të përcaktuara në kontratë. Kontrata nuk i lejon EURALIUS-it kontakt të drejtpërdrejt me Kuvendin, pa marrë më parë leje të qartë nga Ambasada e BE-së në Tiranë.

Në të njejtën kohë, unë i paraqita kërkesë Kuvendit për të më dhënë një kopje të “opinionit ligjor” nga arkiva e tyre, si dhe një kopje të letrës me anë të të cilës Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore Ulsi Manja kishte kërkuar opinion ligjor për Kushtetutën shqiptare nga misionet e huaja. Kuvendi e mohoi kërkesën time, duke deklaruar se dokumenti mund të gjendej në faqen në rrjet të EURALIUS-it.

Por kjo gjë nuk është e vërtetë—deri më sot, “opinioni ligjor” nuk është botuar në asnjë faqe zyrtare dhe mbetet i paarritshëm nga publiku, edhe pse një kopje e tij ka rrjedhë në media.

Për të kuptuar si ky “opinion ligjor” është në përputhje me misionin e EURALIUS-it, që, në mënyrë ironike, është ” të përmirësojë pavarësinë, transparencën, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit shqiptar të drejtësisë”, unë bëra kërkesë për informacion për “raportin e fillimit, planin e punës, raportet gjashtëmujore, mujore, raportet ad-hoc, si dhe raportin përfundimtar të paraqitur nga ekipi i projektit” i EURALIUS”. Sepse nëse vërtetë EURALIUS i ka ndjekur rregullat e përcaktuara në Manualin e tij të Standardeve të Veprimit, ai duhej t’i kishte dërgur një raport Delegacionit të BE-së në lidhje me hartimin e “opinionit ligjor”.

Pas shtyrjes tre herë të afatit ligjor për të më dhënë dokumentet e kërkuara, më në fund, Komisioni Evropian vendosi të më jepte, nga të gjitha dokumentet që kisha kërkuar, vetëm raportin përfundimtar.

Dy janë përfundimet që mund të nxirren nga leximi i këtij raporti përfundimtar në lidhje me “opinion ligjor” të dhjetorit 2017.

Së pari, në kundërshtim me pretendimin e Komisionit Evropian në letrën e 16 janarit 2018, EURALIUS nuk ka hartuar një, por pesë opinione ligjore në vite:

  • Mendimin ligjor për “Heqjen e imunitetit sipas nenit 21/1 të Ligjit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë” në shqip dhe në agnlisht, në korrik 2015;
  • Mendimin ligjor mbi “Rolin e Anëtarëve Zëvendësues të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, në shqip dhe në anglisht më 15.02.2017;
  • Mendimin ligjor mbi “Themelimin dhe Funksionimin e Komitetit të Pavarur (IAHC) për Përzgjedhjen e Avokatëve të KLGJ-së dhe KLP”, në shqip dhe në anglisht, më 15.02.2017;
  • Opinioni ligjor për Gjykatën e Lartë për “Rekrutimin e këshilltarëve ligjorë në Gjykatën e Lartë gjatë periudhës kalimtare”, në shqip dhe në anglisht, më prill 2017;
  • Opinioni ligjor për provimin shtesë të pranimit në Shkollën e Magjistraturës, në maj 2017.

Kjo do të thotë se informacioni i dhënë nga Komisioni Evropian, se ka vetëm një “një dokument” të lëshuar nga EURALIUS që përputhet me përshkrimin “opinionin ligjor”, është jo i plotë.

Së dyti, “opinioni ligjor” i hartuar në dhjetor 2017 nuk është përfshireë ne raportin përfundimtar. Arsyeja është e thjeshtë: raporti përfundimtar nuk është aspak përfundimtar; ai mbulon aktivitetet e EURALIUS-it deri më 31 maj 2017, duke lënë jashtë të gjitha aktivitetet e tij deri në përfundimin zyrtar të mandatit, në fund të marsit 2018. Në fakt, raporti lë jashtë gjithë veprimtarinë e EURALIUS gjatë periudhës kur konsorciumi që zbatonte misionin programin ishte duke rikonkuruar në tenderin publik për zbatimin e fazës së ardhshme të projektit – konkurim të cilin, në mënyrë jo të papritur, e fitoi.

Justifikimi i Komisionit Europian për të mos i dhënë të gjitha raportet, përfshini raportet mujore deri në Maj 2018, ishte si më poshtë:

“Këto raporte (p.sh. raportet javore dhe mujore të përparimit) përmbajnë informacion të gjerë mbi metodologjinë dhe aktivitetet e hollësishme, të cilat u parashtruan kryesisht në projekt-propozim dhe që përmbajnë informacione të brendëshme të konsorciumit. Përveç kësaj, këto raporte shpesh përmbajnë pikëpamjet dhe rezultatet e analizave (psh. vlerësimet, koncept dokumentet/dokumentet për politikat) të kryera nga ekipi i projektit mbi aspekte të veçanta të reformës në drejtësi të cilat përbëjnë pronësi intelektuale të konsorciumit.”

Pra, argumentet pas “opinionit ligjor”, i cili mbështeti zgjedhjen jokushtetuese të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, si dhe pas të gjitha ligjeve të tjera të propozuara nga EURALIUS dhe të miratuara nga parlamenti shqiptar, thuajse pa asnjë lloj debati serioz, janë “pronësi intelektuale”.

Nëse ka diçka që mund të quhet privatizim i qeverisjes nën shtytjen e burokracisë së BE-së, është pikërisht kjo. Qytetarët shqiptarë (dhe të BE-së) nuk janë në gjendje të kuptojnë proceset e vendim-marrjes në kuadër të një prej reformave më drastike të drejtësisë të kryera ndonjëherë në kontinentin evropian për shkak të të drejtave të pronësisë intelektuale!

Pra, Komisioni Europian mund t’i tregojë publikut çfarë ka bërë EURALIUS (ndihmoi në hartimin e ligjeve x, y, z), por jo arsyen pse i ka bërë ato që ka bërë; Komisioni nuk është në gjendje të na tregojë përse janë shkruar disa opinione ligjore. Por kjo është pikërisht pyetja që kryesore që përndjek “opinionin ligjor” të dhjetorit 2017: pse EURALIUS hartoi një opinion ligjor që kishte qëllim të hapur të ndihmonte qeverinë të zgjidhte në mënyrë jokushtetuese një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, veprim që më pas çoi në kapjen e plotë të sistemit të prokurorisë nga qeveria Rama?

Si përherë, fshehja pas “interesave tregtare” dhe “pronësisë intelektuale” nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të shmangur çështjen e vërtetë, atë të përgjegjësisë politike. EURALIUS është duke u përdorur nga Komisioni Europian dhe, në veçanti, nga Delegacioni i BE-së në Tiranë për të fshehur axhendën e tyre politike—pikërisht, mbështetjen e hapur dhe të qartë ndaj qeverisë Rama) për të kamufluar vendimet politike si ndihmë juridike teknike. Këto vendime pastaj fshihen pas mburojes së pronësisë intelektuale, që pastaj mundëson bllokimin e qasjes publike në këto dokumenta me pretendimin e interesave tregtare.

Kjo sjellje nuk është vetëm e papërgjegjshme, por është edhe e rrezikshme—ajo bën që konsorciumi që zbaton projektin EURALIUS të ndihet i paprekshëm dhe i paqortueshëm, pra, mbi ligjin.

Kur në dhjetor të vitit 2017, unë kërkova një kopje të “opinionit ligjor” që ata kishin hartuar, zëdhënësja e EURALIUS, Fjona Dollani m’u përgjigj: “Ju informoj mirësisht se EURALIUS është një projekt asistence teknike dhe nuk kryen aktivitet të marrëdhënieve me publikun.”

Megjithatë udhëheqësja e ekipit EURALIUS Agnes Bernhard, së bashku me Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë, pak javë më parë në Hagë, në një “aktivitet qartësisht marrëdhëniesh publike” ku shpalosën “sukseset” e reformës së drejtësisë përpara një audience skeptike hollandeze.

Prandaj, EURALIUS duhet të zgjedhë cilin variant duhet të ndjekë: ose të zhvillojë aktivitetete marketingu dhe në këtë rast duhet të përballet me median ose nuk do zhvillojë aktivitete të tilla dhe në këtë rast mund të fshihet gjatë gjithë kohës! Por EURALIUS nuk zgjedh asnjërën dhe duket se nuk i intereson asgjë.

Sikur të mos mjaftonte kaq, Eric Vincken, Zëvendës Drejtor i CILC (një nga organizatat partnere që zbaton projektin EURALIUS), iu përgjigj shkrimit tim për aktivitetin e Hagës me një email abuziv, duke më akuzuar për shkrim “propagandistik”. Unë i dërgova një ankesë zyrtare Komisionin Europian për sjelljen e Vincken ndaj shtypit, por mora përgjigjen e mëposhtme:

“Pas konsultimeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit ne ju falënderojmë për kërkesën tuaj të datës 25 maj 2018 ku ankoheni për një komunikim me e-mail nga zëvendës Shefi i Qendrës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CLIC) në Hagë, Z. Eric Vincken. Ky komunikim është përgjegjësi e autorit dhe nuk mund t’i atribuohet asnjëherë institucioneve të BE-së.”

Kjo përgjigje provon edhe një herë mënyrën se BE refuzon të mbajë përgjegjësi për veprimet e EURALIUS-it, ndërsa në të njëjtën kohë e mbron këtë konglomerat nga çdo lloj vëzhgimi të jashtëm, duke përdorur pretesktin e mbrojtjes së “interesit tregtare”.

Kështu, EURALIUS i bie të jetë një mjet që paguhet tërësisht nga taksapaguesit e BE-së, për të mbrojtur BE-në nga kritikat për mënyrën në të cilën ajo zbaton Reformën në Drejtësisë, edhe pse Delegacioni i BE-së në Tiranë ka qenë i përfshirë ngushtë në këtë proces.

EURALIUS nuk është e vetmja organizatë e tillë në Shqipëri, e cila është përtej ligjit dhe përtej kontrollit demokratik të shtetasve shqiptarë dhe të BE-së. Një tjetër i tillë është Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili megjithë ndikimin e tij të konsiderueshëm në kontekstin dhe përmbajtjen e procesit të vetingut, është përtej çdo lloj mbikqyrjeje dhe ballafaqimi publik.

Ka vetëm një term të përshtatshëm për institucione të tilla: kolonializëm. Këto instituione e pozici0nojnë BE-në si një projekt kolonial në Shqipëri, në të njëjtën mënyrë që ka vepruar në Kosovë EULEX-i.

Dhe kjo gjë, ngadalë por me siguri, do të dëmtojë çdo besim të mbetur tek shteti is ë drejtës dhe demokracia, dhe do të gërryejë besimin tek BE.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>