Një lajm i vonuar në Exit për ngritjen nga Bashkia Tiranë të një memoriali në nderim të viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi (15 korrik 2016) ka krijuar habi dhe mllef në publik.
Askush nuk ka sqaruar ende se kush e ka marrë këtë vendim, me ç’motive, bazuar në cilat procedura e ligje, dhe në konsultim me kë.
Një vështrim i shpejtë mbi faktet tregon se:
— Më 15 korrik 2019, Ambasada e Turqisë organizoi të ashtuquajturin “Marshimim të Triumfit të Demokracisë”, një ecje nga Sheshi Nënë Tereza në një cep të Parkut të Liqenit. Me praninë e nënkryetarit të Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, në Parkun e Liqenit u përuruan emërtimet Rruga “Dëshmorët e 15 Korrikut”, Parku “Dëshmorët e 15 Korrikut”, si dhe një pllakë përkujtimore me emrat e 251 qytetarëve të vrarë nga organizatorët e grushtit, si dhe u mbollën 251 rrepër të sjella nga Turqia.
— Në mënyrë të pazakontë, ky aktivitet nuk u shfaq në asnjë nga mediat e vendit, as në rrjetet sociale të Bashkisë dhe drejtuesve të saj, si dhe të përdorura nga to.
— Më 18 korrik, tri ditë pas përurimit, Kryeministri Rama u prit në një shtëpi pushimi qeveritare nga Presidenti Erdogan në Turqi.
— Më 27 korrik, Ministri i Brendshëm Sulejman Sojllu erdhi në Tiranë. Ai takoi Kryeministrin Rama, Ministrin Sandër Lleshaj dhe vizitoi përkujtimoren. Sojllu u shpreh për mediat turke se me Ramën dhe Lleshajn kishin marrë “vendime të rëndësishme” për Lëvizjen Gylen në Shqipëri, të cilën Turqia e akuzon për grushtin e shtetit dhe e ka shpallur organizatë terroriste.
– Më 2 gusht, Kryeministri Rama shpalli se Air Albania do të nisë fluturimet me Italinë. Deri tani, kjo kompani me pronësi të dyshimtë, kryente fluturime me Stambollin, me një avion të kompanisë Turkish Airlines, pronësi e shtetit turk.
– Më 6 gusht, Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vizitoi Drejtorinë e Policisë në Turqi. Sipas njoftimit të policisë, tri ditë më vonë, palët biseduan për “thellimin e bashkëpunimit”.
– Vendimet vazhdojnë të jenë të pabotuara dhe për to nuk është dhënë asnjë informcion publik. Kërkesës për informacion nga Zëri i Amerikës, Ministria e për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) i përgjigjet se nuk është përfshirë fare në çështjen e memorialit.
Rrjedha e ngjarjeve tregon se filli i këputur i vendimmarrjes qëndron në duart e vetë Kryeministrit, njëkohësisht Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama.
I izoluar nga perëndimi dhe në pritje të refuzimit për herë të katërt të hapjes së negociatave nga BE-ja, Rama duket se ka vendosur t’i kthehet sërish miqësisë së shkëlqyer personale me Presidentin Erdogan.
Marrëdhëniet mes tyre duket se ishin ftohur për shumë muaj, çka është shfaqur në dështimin e projektit të dyshimtë për Aeroportin e Vlorës dhe në ngecjen në vend të kompanisë Air Albania, me vetëm një avion të marrë në përdorim nga Turkish Airlines, në pronësi të shtetit turk.
Arsyeja e ftohjes mendohet të ketë qenë qendresa e shtetit shqiptar për të mos plotësuar kërkesat e Erdoganit për mbylljen e kolegjeve turke në Shqipëri, dhe dëbimin nga vendi të mësuesve të këtyre shkollave.
Ndërkohë që Turqia i rrëmbeu disa mësues nga Kosova në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut, me mbështetjen e Presidentit Thaçi, mik i ngushtë i Erdoganit, Kryeministri Rama nuk mund ta lejonte një rrëmbim të ngjashëm në Shqipëri, pasi e ka Evropën perëndimore dhe BE-në më afër se Thaçi, gjeografikisht dhe politikisht.
Duket se prova e dhënë me ngritjen e monumentit i ka siguruar Ramës një takim me Erdoganin, pas shumë kohe braktisjeje. Tri ditë pas përurimit të tij, ata u takuan në rezidencën e pushimit të Erdoganit.
Më në fund, Rama mundi të shfaqte një foto të shumëpritur me një udhëheqës, Erdoganin, të ulur në një verandë, me gjelbërim shkëlqyes përballë.
Tentativa për grusht shteti në Turqi, që rezultoi me 251 viktima, është njëra ndër shumë tentativa të ngjashme në botë. Shqipëria nuk ka ngritur kurrë ndonjë përkujtimore për ndonjë grusht shteti të ndodhur në botë, apo me herët gjatë shekullit të fundit në Turqi.
Nëse Kryeministrin Rama e bren halli i thyerjes që i bën grushti i shtetit demokracisë së një vendi, ai mund të ishte konsultuar me qytetarët për të ngritur një monument në nder të viktimave të të gjithë grushteve ndaj demokracisë në botë.
Por përgjithësimi i këtillë i kësaj simbolike nuk do t’i bënte dobi pushtetit të Presidentit Erdogan. Madje, një memorial i tillë mund ta bënte ndonjërin të mendonte se me kapjen e qeverisë, bashkive, parlamentit, drejtësisë, medias, edhe Rama vetë sikur e ka bërë në fakt një grusht shteti joushtarak.
Nga ana tjetër, ky memorial është krejtësisht pa lidhje me shqiptarët dhe mbetet ende i pakuptuar prej tyre. Çështjet e brendshme të Turqisë dhe propaganda politike e Erdoganit nuk i ka prekur shqiptarët në masën sa të pranojnë në kryeqytetin e tyre një memorial të mbirë papritur.
Për më tepër, nëse do të pyeteshin, shqiptarët me siguri që do të kishin një listë të gjatë me ngjarje për t’i përkushtuar memoriale, dhe me siguri që grushti i shtetit në Turqi nuk do të ishte në listën e më të domosdoshmëve.
Nga ana tjetër, në një vend autoritar si Turqia, ku Presidenti Erdogan kontrollon çdo pushtet tjetër, mbeten ende të paqarta rrethanat, rrjedha, arsyet dhe ndërlikimet e këtij grushti shteti.
Nuk ka kurrfarë arsyeje objektive, të politikës së jashtme të Shqipërisë, të mbrojtjes së parimeve të demokracisë e të të drejtave të njeriut, që të justifikojë këtë ndërmarrje arbitrare të bashkisë dhe qeverisë.
Por ama ka arsye subjektive të Kryeministrit Rama.
Me afrimin me Presidentin Erdogan dhe rënien dakord për të shkëmbyer përfitime për pushtetet e tyre personale, Rama duket se do të vazhdojë ta përdorë edhe për ca kohë kompaninë “Air Albania” për propagandën e tij. Ndërkohë, pak ditë pas takimit me Erdoganin, ai kërcënoi sërish Bashkimin Evropian se, në rast se nuk hap negociatat me Shqipërinë, vendi rrezikon të ndikohet “nga aktorë të tjerë”.
Rasti i ngritjes së këtij monumenti forcon më tej autoritarizmin e Kryeministrit Rama. Ai vendos, pa pyetur njeri, të ngrejë një park, një rrugë, një memorial dhe 251 pemë në qendër të Tiranës, pa i hyrë gjemb në këmbë. Ai i premton dhe i jep Presidentit Erdogan ç’t’i dojë qejfi, pa e çarë kokën të pyesë shqiptarët apo të respektojë ligjet.
Ironikisht, Rama shpreson ndërkohë të shpërblehet me një pritje më tepër, një foto liderash, një avion nga Erdogani për ta lidhur Shqipërinë me Italinë e Evropës.
Është karakteristikë e regjimeve autoritare dhe diktatoriale që marrëdhëniet shtetërore t’i bazojnë tek ajo sesa dhe kur i hahet muhabeti udhëheqësve të tyre. Erdogani dhe Rama nuk e kanë fshehur kënaqësinë e shoqërisë së njëri–tjetrit, madje ky i fundit është krenar për këtë.
Ndërkohë, shpërqendrimi përmes këtij rasti i vëmendjes së publikut te tema të identitetit të shqiptarëve, Lindja kundër Perëndimit, nacionalizmi shqiptar, (neo)otomanizmi e të tjera të ngjashme veç i çojnë ujë mullirit të propagandës së Kryeministrit Rama.
Këto çështje kërkojnë studime sistematike shkencore dhe veç shpërdorohen kur bëhen bajate në publik. Ato largojnë vëmendjen nga autoritarizmi i tij, nga fakti se Rama ka shtënë në dorë të gjitha pushtetet në vend – qeveri, parlament, bashki, media, drejtësi; nga fakti se partia e tij është kapur duke organizuar vjedhjen sistematike të votave në bashkëpunim me kriminelët më famëkeq.
Ato largojnë vëmendjen nga korrupsioni i faktuar i qeverisë, nga projektet e miqve Fusha, DH Albania, Gjikuria, Salillari, Kastrati, Balfini, ANK-ja, kroatët e Romana Vlahutinit, që skërmiten bashkë me Ramën dhe Veliajn duke përfituar e grabitur shqiptarët.
Të gjitha këto kanë rritur e janë ushqyer prej autoritarizmit të Ramës, që tani e bën atë të ndihet i paprekshëm.
Me ngritjen e këtij monumenti të habitshëm, pa lidhje me ndjenjat, aspiratat dhe botëkuptimin e shoqërisë shqiptare, Kryeministri Rama ka faktuar se ai është tashmë një autokrat i përsosur. Si çdo autokrat, ai bën veprime në dukje të pakuptimta, qesharake dhe të habitshme. Si çdo autokrat, ai është i rrezikshëm për demokratizimin e vendit.