Në një seri postimesh në rrjetin Twitter, Ambasada amerikane ka rikujtuar zotimin prej 2 bilion $ që SHBA-të kanë angazhuar për programin COVAX, që Shqipëria dhe vende të ngjashme të mund të furnizoheshin me vaksina.
Në total SHBA-të kanë premtuar 4 bilion $ për programin.
“Deri më sot, ndihma totale e COVID-19 e qeverisë amerikane për Shqipërinë ka arritur në më shumë se 2 milion dollarë” shkruan ambasada.
Kjo shumë përfshin ndihmën në ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e infrastrukturës, dhurimin e kompleteve të provës COVID, pajisjet e kontrollit dhe parandalimit, sigurimin e transportit për gjurmimin e kontakteve, dhurimin e pajisjeve mbrojtëse personale për policinë kufitare, shpërndarjen e ventilatorëve etj.
Me fillimin e pandemisë, më 27 mars të vitit të kaluar qeveria amerikane i dhuroi Shqipërisë $700 mijë për përmirësimin e laboratorëve, sistemin e gjurmimit të rasteve, mbështetjen e ekspertëve teknikë etj.
Më 16 prill SHBA miratoi një fond shtesë prej 1.2 milionë, për të njëjtin qëllim, ndërkohë që më 17 qershor 2020 USAID i dhuroi 346 mijë $ të tjerë.
Përveç ndihmave në para, më 9 prill e sërish më 31 korrik 2020 SHBA-të i dhuruan vendit tonë materiale mbrojtëse ndaj infeksioneve për punonjësit e shëndetësisë si pjesë e programit për Asistencë Humanitare të Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara.
Më 19 qershor qeveria amerikan dhuroi 3 500 teste Covd-19 për Institutin e Shërbimit Publik, ndërsa në nëntor 2020 USAID dhuroi 200 respiratorë të prodhuar në SHBA.