
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kritikoi të shtunën vendimin e BE-së për të kontrolluar eksportin e vaksinave të prodhuara brenda bllokut, raporton BBC.
OBSH tha se masa të tilla rrezikojnë zgjatjen e pandemisë.
BE e vendosi këtë masë pas debatit me prodhuesit e vaksinave mbi mungesat e lajmëruara.
Por nënkryetarja e OBSH-së Mariangela Simao tha se ishte “shumë shqetësuese”.
Më herët shefi i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “nacionalizmi i vaksinave” mund të çojë në një “shërim të zgjatur”.
Të premten, presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se BE nuk do të bllokojë ose ndalojë eksportet e vaksinave të koronavirusit por ato duhet të “kontrollohen”.
Bashkimi Europian prezantoi të premten një program transparence për vaksinat e koronavirusit të prodhuara në vendet anëtare.
Para se të japin një leje eksporti për vaksinat COVID-19, shtetet e BE do të duhet të verifikojnë në Komisionin Evropian nëse kompania ka dhënë vaksinat në bazë të marrëveshjes së nënshkruar.
Nëse kompania nuk ka dorëzuar sasinë e premtuar të vaksinave në vendet e BE ose ka njoftuar vonesa, Komisioni Evropian mund të kufizojë eksportin e vaksinave.
Gjermania e ka përshëndetur vendimin.