“Nuk kam para, por dua të arsimohem” shkruhej në një nga ato pankartat e protestave të studentëve. Në fund të vitit 2018, protestat studentore u sulmuan politikisht, sepse të rinjtë në Shqipëri trajtohen edhe si plaçkë politike. Megjithatë protestat shërbyen edhe si një lloj shkundjeje për një administratë të fiksuar me mediatizmin e vet, me aktrimin e sukseseve, me adhurimin virtual të rrjeteve sociale.
Nga njëra anë ishin studentët, që flisnin vrullshëm tek shqiptonin nevojat e tyre jetike. Nga ana tjetër kishin nëpër studio televizive gjithollogë që u nderseheshin duke u kërkuar lista me kërkesa.
Studentët i sollën kërkesat, dhe përveç kësaj ushqyen edhe optimizëm në publik, sidomos kur i krahasoje me të rriturit që kishin përreth, e që supozohet se duhet t’i edukojnë, por që janë të vetë-ndarë nëpër çeta politike, të molepsur pas interesave të vogla, tjerrës papushim teorish konspirative, mediokër në thelb por spektakolarë në estradat televizive.
Mirëpo pandemia ka vënë në pikëpyetje jo vetëm çerek-reformën e premtuar nga qeveria, por gjithë sistemin arsimor. Shqiptarëve i’u kërkua të sakrifikojnë për disa muaj. Tani çfarë? Duket se plani, hë për hë, është të futësh kokën në rërë.
Farsa me testin e maturës, si dhe mllefet personale që vishen si debate profesionale, duket sikur zhvendosin vëmendjen nga thelbi: A ka një plan për arsimin?
Thuhet se mësimi online do të bëhet pjesë e programit arsimor në vazhdim, se vjeshta do të vijë, siç sqaroi ministrja në fjalën e saj të fundit, me “blended learning” (mësim të përzier). RTSH Shkolla do u bëka projekt afatgjatë, sepse “nuk ka kthim mbrapa”, siç tha ajo.
Në fakt RTSH Shkolla është pikërisht kthim mbrapa në metodat e dëshpëruara të vitit të mbrapshtë 1997, të cilat gjenerata ime i mban mend shumë mirë.
As videot në YouTube, as televizori nuk janë plan afatgjatë. Mësim-dhënia e përzier është një fushë e tërë pedagogjike, me rregulla dhe praktika të vetat, që kërkon aftësi specifike, si dhe njohuri teknike. Kërkon, mbi të gjitha, hapësirë dhe kohë për eksperimentim.
Mirëpo këto gjëra janë të mërzitshme dhe nuk bëjmë “lajm”. Lajm bëjnë kacafytjet me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të qeverisë, duke qenë se qeveria e ka të nevojshme të projektojë vetëm suksese.
Sukses rrezatojnë edhe sondazhet e bëra për mësimin online nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.
Shifrat duken sikur janë derdhur nga pyetësorët e dikurshëm të PPSH-së. Sondazhi i prillit, i cili thuhet se mbështetet në përgjigjet e 120.000 nxënësve, na jep këtë sqarim: “Lidhur me realizimin e testeve/detyrave përmbledhëse apo të detyrave krijuese/hulumtuese të portofolit në kushtet e shtëpisë, rezulton se 98,3% e nxënësve i kanë kryer ato”.
Po si janë kryer këto teste e “detyra krijuese”?
Përgjigjen e jep sondazhi. Mbi 95% e nxënësve e kanë zhvilluar mësimin duke përdorur celularin. Sondazhi sqaron edhe se vetëm 1,2% e nxënësve të anketuar kanë përdorur kompjuterat laptop. Ndërsa një sondazh i mëparshëm i marsit rrëfente se 96,4% e mësuesve kanë përdorur WhatsApp-in si mjet mësimi.
“Sot nxënësit rriten me teknologji dhe ky burim është lehtësisht i përdorshëm për ta”, na rrëfejnë specialistët. Ky është një naivitet i pafalshëm. Që nxënësit rriten me teknologji nuk do të thotë se e kanë teknologjinë gati, se janë të aftë me informacionin, se diferencojnë qasjen ndaj burimeve, apo se dinë t’i përdorin këto në mënyrë kritike.
Kërkimi në Google s’duhet ngatërruar me arsimimin, ashtu si Agjencia e Sigurimit të Cilësisë s’mund të ngatërrohet me cilësinë.
Shifrat e sukseseve shqiptare edhe amerikanët do t’i kishin zili. Këtej nga ne, sipas një sondazhi të organizatës Educators for Excellence, vetëm 9% e mësuesve amerikanë raportojnë angazhim të përditshëm të nxënësve në masën mbi 90%. Për më tepër, një e treta e mësuesve amerikanë të anketuar thonë se më pak se 50% e nxënësve kanë marrë pjesë përditë në mësim.
Mirë para-universitari, që ka vështirësitë e veta specifike. Po universitari? Një kompani amerikane anketoi 3.089 studentë dhe doli në përfundimin se rreth 68% e tyre mendojnë se mësimi online ka qenë i një cilësie më të ulët se modeli në klasë; rreth një në katër studentë thonë se kanë patur vështirësi me teknologjinë.
Këto shifra alarmante janë në SHBA—vendin e super-teknologjive dhe metodave hibride në pedagogji, ku profesorë si unë i kemi aplikuar prej vitesh me studentët, dhe ku mësimi nuk bëhet me WhatsApp.
Po në Shqipëri? Studentët universitarë ankohen se mësimi online nuk ka qenë cilësor. Sondazh tek ata ka bërë lëvizja “Për Universitetin”, dhe ky konfirmon përdorimin e celularit si metodë kryesore mësimi. Vjet qeveria kishte në plan edhe “Sondazhin Kombëtar të Studentëve”, trumbetuar si pjesë e paketës së “Paktit për Universitetin.”
Sondazhi u shty, pastaj u bë një prezantim në vjeshtë, me rektorë dhe dekanë dhe—sigurisht—me kamera televizive. Cilat ishin rezultatet konkrete? Kërkojini më kot tek faqja bosh e Agjencisë që Siguron Cilësi në Arsimin e Lartë.
Ndërsa studentët ankohen, fakultetet e Universitetit të Tiranës presin pagesat e tarifës shkollore.
Nuk është çështja e të bërit me gisht. Studentët nuk janë të paarsyeshëm. Ata e kuptojnë se pandemia i vuri mësuesit dhe pedagogët e tyre para një gjendjeje të pamundur.
Mirëpo pandemia nuk mund të bëhet shkas për të mbuluar problemet serioze në arsim me një gjethe fiku—por duhet bërë shtysë për një super-reformë. Më shumë se kurrë duhet riparë sistemi në tërësi, që nga buxheti tek administratorët (që duhen të kalojnë në vetting) tek gradat e marra me plagjiatura apo me botime të shpikura, tek rinovimi i programeve ku janë hedhur qindra mijëra euro kot më kot, tek bataku në kërkimin shkencor shqiptar.
Cili është plani për vjeshtën e më tej? A mund të jetë pandemia një mundësi ristrukturimi në arsim, për t’u qasur agresivisht tek problemet të cilat nuk i solli Covid-19-a, por që pandemia i ekzagjeron dhe do t’i ekzagjerojë edhe më tej, siç përforcon edhe pabarazitë mes Tiranës e rretheve?
Këtu kërkohet urgjentisht vizion. Por qeveria është e selfie-ve, kështu që gjasat janë që me selfie do vazhdohet.