Komunitetet me rrjetë më të dendur horizontale të organizimit civil janë në gjendje të ndërtojnë më mirë normat e besimit, reciprocitetit dhe angazhimit qytetar, sipas politologut Robert Putnam. Këto norma çojnë drejt demokratizimit dhe funksionimit të mirë të demokracive pjesëmarrëse.
Shoqëritë me një rrjetë të dendur horizontale Putnam i krahason me komunitetet që ngrihen përreth rrjetave vertikale dhe marrëdhënieve pronar-klient, të cilat ai i gjykon si të paafta për të ndërtuar një kulturë të angazhimit civil, që është e domosdoshme për demokracinë.
Mungesa e një pëlhure institucionesh të tilla shoqërore duket se e ka vështirësuar rezistencën dhe kundërshtimin e regjimit të ndërtuar nga Rama dhe Veliaj në bashkëpunimin e tyre në rreth të mbyllur me mafian dhe oligarkinë.
Këtë dukuri vertikalizuese të shqisës politike të shoqërisë shqiptare e nxjerr më së miri në pah gishti i drejtuar drejt Partisë Demokratike, me akuzën për mosorganizimin prej saj, në mënyrë të qendërzuar, të rezistencës mbarëkombëtare ndaj mafiokracisë së Tiranës. Ndonëse në pjesën më të madhe të kohës e nervozuar se publiku nuk reagon, opozita shqiptare ia ka dalë që hera-herës të faktorizojë dhe forcojë politikisht një numër kauzash civile, si ajo e banorëve të Astirit apo Teatrit Kombëtar.
Përvoja e protestave të banorëve të Zharrëzës, Astirit apo ajo e artistëve dhe qytetarëve te Teatri Kombëtar krijuan disa institucione modeste të organizimit horizontal të komuniteteve, që nuk janë parë shpesh në kontekstin politik e shoqëror shqiptar. Është në interesin politik të opozitës që institucione të tilla të jenë të shumta dhe të shpeshta në të gjitha qytetet, fshatrat dhe lagjet e Shqipërisë. Ato përfaqësojnë një etapë thelbësore të luftës anti-regjim dhe një bazë të domosdoshme të kultivimit dhe konsolidimit të imunitetit politik ndaj autoritarizmave.
Por nuk duket se vetë Partia Demokratike e sheh me entuziazëm një formë të tillë vetë-organizimi të komuniteteve.
Ajo që po i ndodh opozitës shqiptare duket se është një qorrollepsje pa destinacion të qartë, e cila inkurajohet nga shpresëdhëniet e pavërteta, që më shumë kanë si synim të zbusin përjetimin e dhimbjeve, sesa kanë mundësi të pengojnë apo ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Ashtu siç mjekët mbajnë me shpresa të pabaza një pacient me sëmundje terminale, ashtu edhe një aradhë këshilltarësh, këshilluesish apo funksionarësh politikë ka gjasa ta kequdhëzojnë opozitën. Besime të rreme, sipas të cilave Rama ka marrë fund dhe po kryen edhe mëkatet e mbrame përpara rënies së tij, janë përqafuar gjerësisht nga drejtuesit dhe anëtarët e opozitës.
Por ndërkohë Rama-Veliaj po ecin me hapa të vendosura drejt objektivave të tyre politike. Jo vetëm është e qartë se Rama-Veliaj nuk kanë ndërmend të lëshojnë asnjë fije pushteti që opozita nuk është në gjendje t’ua marrë, por ata duken njësoj ngulmues, si ditën e parë të qeverisjes, për të marrë çdo pushtet që opozita nuk është në gjendje ta mbrojë. Në një lëvizje të shpejtë dhe të ashpër, Rama-Veliaj hodhën në erë një prej kauzave më të ushqyera nga opozita: atë të mbrojtjes nga shkatërrimi të shtëpive tek Astiri.
Opozita u tërhoq dhe nuk i qëndroi angazhimit që ta mbronte këtë kauzë të sajën edhe me trup. Ka shumë të ngjarë që kjo të ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar. Nëse argumenti i opozitës se ajo nuk dëshiron të derdhë gjak është i sinqertë, atëherë përplasja me policinë është e pagjasë. Prandaj, ndoshta është koha që publiku të përgatitet për humbjen e Teatrit, kauzën e të cilit ajo e mbrojti prej më shumë se një viti. Përveç se po humbet betejat e kurdisura nga Rama, opozita po dorëzon lehtësisht edhe ato kauza që i ka mbështetur vetë, duke ndihmuar ngritjen e tyre në një stad më të lartë politik.
Këto zmbrapsje, më shumë edhe se marrja nën kontroll nga regjimi Rama-Veliaj i institucioneve të drejtësisë, kanë krijuar një tension mes radhëve të opozitës. Vetë mbështetësit e Partisë Demokratike duket se janë të dyzuar ndërmjet dëshirës për të çmontuar regjimin dhe mungesës së besimit se kjo është një mundësi realiste.
Pra, në një qasje shumë paradoksale, partia më e madhe e opozitës kultivon me vendosmëri kauza politike, por nuk i mbron ato me të njëjtën vendosmëri. Copëtimi i përkrahjes opozitare shkaktohet ose nga tepria e kauzave opozitare, ose nga paaftësia e opozitës për të përfaqësuar dhe mbrojtur si duhet të gjitha kauzat anti-qeveritare.
Si rrjedhojë, është e arsyeshme të konstatojmë se në vend që ta rrisë kapitalin e saj social, opozita po e shpërdoron hera-herës atë kapital që arrin të mbledhë dhe të zhvillojë deri në momentin që ajo i lëshon kauzat qytetare.
Të përligjura janë edhe dyshimet se opozita nuk është e interesuar që organizimet horizontale të komuniteteve të inkurajohen, sepse ajo nuk i do ato si pengesë kur të vijë në pushtet. Nuk është e pranueshme që shpërdorimi i protestës së qytetarëve te Parku i Liqenit të Tiranës, protestës së qytetarëve të qarkut të Kukësit kundër vendosjes së tarifës së përdorimit të rrugës, protestës së banorëve të Astirit apo edhe protestës së studentëve, të justifikohet me paaftësinë apo mosdijen e opozitës.
Si sfidante e regjimit Rama-Veliaj, Partia Demokratike ka mjaftueshëm dije dhe përvojë të akumuluar për të ndërmarrë vendimet dhe veprimet e duhura politike në situata të ngjashme. Mesazhi që opozita i jep opinionit publik me hezitimet apo lëniet në mes të kauzave që ka mbështetur është se ajo nuk ka vullnetin e sinqertë për t’i përmbushur me sukses angazhimet e saj ndaj qytetarëve.
Nga ana tjetër, mungesa e nevojës që shfaq opozita për kapitalin politik të këtyre çështjeve lë të kuptohet se ajo ka një tjetër plan për të ardhur në pushtet. Marrja e pushtetit përmes një kontrate me shoqërinë, që e bën qeverinë të mbajë përgjegjësi për performancën e saj, siç duket, nuk është në planin e opozitës.
Një panoramë e tillë e zymtë nuk duhet t’i shkurajojë shqiptarët nga pjesëmarrja në proceset politike. Përkundrazi, ajo duhet të na kthjellojë që të artikulojmë kushte të arsyeshme ndaj opozitës, nëse ajo kërkon mbështetjen tonë.
T’i vësh shqiptarët të zgjedhin ndërmjet të keqes më të madhe dhe të keqes më të vogël nuk është aspak e pranueshme për një opozitë që është e vetëdijshme për të keqen e saj. Një opozitë që nuk pranon të transformohet, të shpallë publikisht planin e saj për çmontimin e regjimit, apo që shfaqet e dyzuar karshi krijimit të organizimeve komunitare horizontale ka diçka për t’i fshehur publikut.
E pakëndshme siç është, kjo është një mundësi e artë që qëndrimi i zgjedhësve ndaj opozitës të mos ngrihet mbi baza emocionale, por mbi arsye të kulluara politike. Partia Demokratike e zhveshur nga karizma paraqet një palë të shkëlqyer politike për të mos i besuar në mënyrë të verbër. Deri më sot ajo e ka dëshmuar pothuajse gjithmonë se nuk e meriton t’i mirëbesohet pa kushte.
Atëherë, të gjithë grupet e interesit, komunitetet, organizimet horizontale në lagjet dhe qytetet tona janë tërësisht të përligjura të kërkojnë nga Partia Demokratike prova të përgjegjshmërisë së saj politike. Të tilla mund të jenë ristrukturimi i saj, transparenca e financimit, këputja e çdo lidhjeje me oligarkinë e regjimit Rama-Veliaj, përzgjedhja e drejtuesve dhe kandidaturave përmes procedurash demokratike, si dhe një plan i qartë për të çmontuar regjimin dhe oligarkinë e tij.
Në fund të fundit, a nuk është kjo gjëja më e mirë që mund të ndodhë në raportin e shqiptarëve me politikën: të braktisin çdo patos dhe të vënë arsyen në punë, sa herë që u duhet të negociojnë me partitë politike?