Katër organizata ndërkombëtare për lirinë e medias i kanë kërkuar kryeministrit Rama të tërhiqet nga ndryshimet ligjore për mediat, që parashikojnë mbikëqyrjen dhe gjobitjen e mediave online.
Me anë të një letre të hapur, Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi shprehen se “paketa antishpifje” e qeverisë Rama cenon lirinë e shprehjes dhe të informacionit:
“Iniciativa juaj bie ndesh praktikave më të mira dhe është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne.
Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim.
Ne shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.”
Për këto arsye, organizatat i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga këto ndryshime ligjore:
“Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët.”
Ndryshimet ligjore, të cilat qeveria i bëri publikë më 17 dhjetor, parashikojnë regjistrimin e të gjithë mediave online, mbikëqyrjen e materialeve të publikuara në to dhe gjobitjen ose mbylljen në rast së përmbajtja e tyre cilësohet shpifje nga insitucionet përkatëse. Institucionet që parashikohen të marrin këtë pushtet janë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP dhe Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA).
Më herët këtë nismë e ka kundërshtuar dhe OSBE , duke e cilësuar si një praktikë që dëmton lirinë e medias e shprehjes, dhe vë median nën kontrollin e plotë të qeverisë.