
Presidentja në detyrë e Kosovë Vjosa Osmani ka dekretuar ligjin për rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit. Lajmin e konfirmoi të dielën për REL këshilltari i saj, Artan Murati.
Kuvendi i Kosovës e miratoi të premten paketën ligjore, pas muajsh debati, me 72 vota pro dhe asnjë kundër.
Projektiligji u propozua nga LDK për të ndihmuar sipërmarrjen në përballimin e pasojave të pandemisë. Në votimin e fundit, atë e mbështeti PDK dhe AAK.
LVV e kundërshtoi dhe nuk e votoi ligjin.
Kryeministri Avdullah Hoti i njohu PDK-së të premten në Kuvend kontributin për përmbajtjen dhe miratimin e ligjit.
Ligji parashikon 200 milionë euro për t’iu shpërndarë direkt bizneseve, heqjen e TVSH-së për lëndën e parë dhe 300 euro për 3-4 muaj për punëtorët që kanë humbur vendin e punës.