Shqipëria nisi sot vaksinimin kundër COVID-19, por pakënaqësia e kryeministrit Rama me Bashkimin Europian zuri vend në titujt e mediave ndërkombëtare në vende të ndryshme.
Washington Post citon Ramën teksa shprehet se “nuk duhej menduar si vendet e BE, sepse Shqipëria nuk ishte vetëm”
Për ANSA-n Rama deklaroi se mbajtja e dozave shtesë nga vendet e BE ishte e papranueshme.
“Është e papranueshme jo vetëm moralisht dhe politikisht, por e pajustifikueshme edhe nga pikëpamja logjike, duke pasur parasysh se ka vende që mbajnë doza shtesë sepse nuk janë në gjendje të veprojnë shpejt. Ata të paktën mund të na ofrojnë dozat e nevojshme për personelin e kujdesit shëndetësor që operon në vijat e frontit kundër pandemisë Covid”
Nevojën e dozave për personelin e spitaleve COVID-19, Rama e theksoi edhe në prononcimin për AFP.
“Kur BE filloi të shpërndante dozat në 27 Dhjetor, ajo mund të kishte dhënë “qasje e menjëherëshme edhe për vendet jo-anëtare të Ballkanit Perëndimor që të kenë të paktën disa doza për të vaksinuar linjat e tyre të para. Por ata nuk e bënë”.
Rama ka thënë më herët se vendimi i BE për të sjellë tepricat në Ballkan është për të ardhur keq.
Në 30 dhjetor, Rama njoftoi se ka arritur marrëveshje në parim me kompaninë Pfizer dhe akuzoi Bashkimin Europian se la jashtë vëmendjes Shqipërinë.
Gjatë prezantimit të lajmit të vaksinës më 1 janar, Rama theksoi se Shqipëria kishte arritur këtë marrëveshje pa ndihmën e BE-së.