Palmat tek “Veliera” dëmtojnë arkeologjinë dhe shkelin vendimet e gjykatave

Palmat tek “Veliera” dëmtojnë arkeologjinë dhe shkelin vendimet e gjykatave

Prej rreth 6 muajsh vijojnë me intensitet të lartë deri në orët e mbrëmjes, punimet për ndërtimin e sheshit të ri të qytetit të Durrësit, pagëzuar me emrin “Veliera”.

Pas daljes në dritë të strukturave murale, këmbëngulja e qytetarëve të Durrësit detyroi frimën që po zbaton punimet, që mos t’i dëmtonte plotësisht gjetjet arkeologjike.

Megjithëse u ngulën pilota mbi muret e zbuluara, varret u hodhën në det, copat e qeramikës dhe gjylet u hodhën po ashtu në det, e u shtrua me beton sipërfaqja mbitokësore e strukturave murale, arkeologët arritën të kryenin disa sondazhe arkeologjike.

Sot ky perimetër “mbrohet” zyrtarisht dhe ligjërisht nga disa vendime të gjykatave të Durrësit. Por kjo nuk e ka penguar firmën që po zbaton projektin dhe bashkinë Durrës të kapërcejnë shiritin “Vend ngjarje mos kalo” dhe të ngulin kazmat në nëntokën e pasur me objekte arkelogjike.

“Gropat që po hapim do shërbejnë për mbjelljen e palmave dhe variojnë midis 1-1.5 metër thellësi”, bënë me dije punonjës të firmës që po zbaton projektin. Thellësi relativisht e lartë kjo, duke marrë parasysh se kaq gërmim u desh për të zbuluar murin rrethues të qytetit (shek. V-VII i erës sonë) dhe varret mesjetare.

Si pasojë, në gropat e hapura në një perimetër, që me vendim gjykate nuk lejohet asnjë punim nga firma private, vërehen copa të shumta qeramike, të cilat edhe mund të jenë prodhuar nga dëmtimi me kazëm.

Çfarë thonë arkeologët?

Sipas drejtuesit të gërmimeve arkeologjike, Dr. Asc. Eduard Shehi, sondazhet arkeologjike kanë përfunduar dhe aktualisht po kryhet dokumentimi i zbulimeve, për t’ia paraqitur Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i cili do të marr një vendim.

Nga kjo kuptojmë se kantieri i ndërtimit nuk është në monitorimin e përditshëm të arkeologëve dhe garanci është vendimi i prokurorisë dhe gjykatave të Durrësit, të cilave përgjatë këtyre ditëve i është vënë kazma për mbjelljen e palmave.


Shkrim i publikuar më parë në Amfora.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>