Parlamenti Evropian ndërmjetëson zgjidhjen e krizës politike në Serbi

Parlamenti Evropian ndërmjetëson zgjidhjen e krizës politike në Serbi

Kryetarja e parlamentit serb Maja Gojkoviç pranoi propozimin e eurodeputetit David McAllister që Parlamenti Evropian të ndërmjetësojë bisedimet mes Partisë Progresive Serbe në pushtet dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike në Serbi.

Në fund të gushtit, eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein bënë një vizitë në Serbi, ku morën mendimet e të gjitha palëve.

Këtë javë, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së David McAllister i propozoi parlamentit serb që PE të ndërmjetësonte bisedimet mes maxhorancës dhe opozitës për kushtet për zgjedhjet e ardhshme në mars ose prill 2020.

Maja Gojkoviç, e cila ka qenë zëvendëskryeministre gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe tani është anëtare e parties së kryeministrit Aleksandar Vuçiç, tha se datat e mundshme për nisjen e dialogut mund të jenë 9 ose 10 tetor.

Opozita e mirëpriti propozimin e McAllister-it, por theksuan se ata do të merrnin pjesë në bisedime vetëm nëse ftesa u vinte nga PE dhe jo nga parlamenti serb.

Një pjesë e opozitës, e mbledhur nën Aleancën për Serbinë, e ka bojkotuar parlamentin që në shkurt 2019, në përgjigje të protestave përgjatë gjithë vendit. Protestat, që nisën në vitin 2018 pas rrahjes së një politikani të opozitës, ende vazhdojnë në qytete të ndryshme të vendit.

Protestuesit dhe opozita kërkojnë largimin e Vuçiçit dhe zgjedhje të parakohshme nën një qeveri teknike. Vuçiç refuzon të japë dorëheqje.

Gjithashtu, opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Ata theksuan se edhe pas propozimit të McAllisterit nuk do të tërhiqeshin nga bojkoti i zgjedhjeve.

Pas propozimit nga organizatorët e protestave “1 në 5 milionë”, , opozita serbe miratoi një “Marrëveshje me Popullin”, e cila përmban 7 pika për të garantuar zgjedhje të lira, shtyp të lirë, për të rikthyer parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Serbi, pasi opozita të vijë në pushtet. Opozita pritet të parashtrojë pikërisht një version të këtyre pikave, nëse bisedimet nisin me sukses nën ndërmjetësimin e PE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>