Patagonia: 94% e shqiptarëve mbështesin shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar

Nga Exit News
Patagonia: 94% e shqiptarëve mbështesin shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar

Një sondazh i Patagonia Europe tregoi se 94% e shqiptarëve mbështetin kthimin e Vjosës në Park Kombëtar.

Më herët në një reagim për Exit, drejtori i përgjithshëm i Patagonia Ryan Gellert tha se  “hidrocentralet nuk mbrojnë natyrën, nuk janë të qëndrueshme, dhe po ndikojnë më zhdukjen e disa llojeve të rralla bimësh dhe kafshësh”.

Ata po zhvendosin popullata nga zonat përqark, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Gellert, i cili ka punuar për “kompaninë aktiviste” që nga viti 2014 shtoi se nuk ekziston koncepti “hidrocentrali i gjelbër” dhe i qëndrueshëm dhe se “anët negative i tejkalojnë përfitimet, 100%“.

Në prill, 2017  fitues të tenderit për hidrocentralin e Poçemit u shpallën dy kompani turke, pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.

Çdo gjë rreth projektit u bë në mënyrë jotransparente dhe arbitrare nga qeveria, siç ka shpjeguar Exit.al këtu dhe këtu.

Në vitin 2016, tre organizatat mjedisore EcoAlbania, Riverëatch dhe EuroNatur dhe 38 qytetarë aktivistë paditën qeverinë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë në Gjykatën Administrative.

Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tij për ndërtimin e hidrocentraleve.

PE-ja miratoi në prill të 2016, një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet, ndër të tjera dhe për shkatërrimin e parqeve kombëtare nga hidrocentralet.

Në shtator 2020, Kryeministri Edi Rama shkroi se HEC-et në Vjosë nuk do të ndërtoheshin.

Tre muaj më vonë, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i kryesuar nga ai, miratoi kufijtë e rinj të zonave të mbrojtura.

Vendimi i hapi rrugën ndërtimit të HEC-eve në Poçem dhe Kalivaç, por asnjëra prej tyre nuk është ndërtuar pasi janë në proces gjyqësor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>