Sot në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, liderët e Shqipërisë kanë uruar shqiptarët e Kosovës.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, kujtoi dhe të rënët në luftën për pavarësi:
“Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë.”
Kryetari i opozitës Lulzim Basha uroi shqiptarët e Kosovës dhe shprehu angazhimin e tij për të punuar për integrimin europian si të Shqipërisë, ashtu dhe Kosovës:
“Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit.
Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.
Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjeherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.”
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kujtoi luftën e përgjakshme të Kosovës për liri dhe sakrificat e ëndrrat e të gjithë atyre që dhanë jetën për pavarësinë e saj:
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, ëndrra e realizuar e të rënëve për liri!
12 vjet në jetën e një vendi nuk janë shumë, por 12 vjet të shtetit të pavarur të Kosovës, kanë shënuar arritje me përmasa epokale po të kemi parasysh se sa shumë luftë e përpjekje, sa shumë sakrifica dhe privacione janë dashur të përballohen.
Ndaj, është e natyrshme që sot një nderim i veçantë të shkojë për të gjithë ata djem dhe vajza, për të gjithë ata luftëtarë të lirisë që i dhanë Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, jetën e tyre.
Kosova është amaneti i shenjtë i gjakut të të rënëve, por po aq është edhe ëndrra e bukur e djemve dhe vajzave të saj, ndaj përparimi dhe mirëqenia, prosperiteti dhe zhvillimi i pandalshëm, do ta bëjnë Kosovën edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më europiane.”