Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj shprehet se qeveria Rama ka drejtuar qëllimisht ekonominë drejt parave të krimit duke nxitur kështu investitorët e huaj që të largohen nga vendi.
Shehaj i referohet përgjimeve të anti-mafias italiane ku flitet për lidhje të anëtarëve të “Ndragheta-s” me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverisë Rama.
Sipas ish-deputetit demokrat paratë e trafiqeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale injektohen në biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtim dhe shërbime për qeverinë.
Kjo ka shkaktuar kriminalizimin e ekonomisë thekson Shehaj duke bërë që investitorët e huaj të largohen, ndonjëherë edhe me dhunë.
“Ky kriminalizim i ekonomisë ka bërë që që jo vetëm të mos ketë asnjë investitor të ri, por ka detyruar shumë kompani perëndimore të braktisin Shqipërinë. Disa nga këto kompani janë bërë viktima e dhunës shtetërore me inspektorë e gjoba që ka patur si qëllim përzënien e tyre dhe kalimin e veprimtarive dhe pasurive të tyre në duart e krimit shqiptar, pas të cilit fshihen qeveritarët që përfitojnë nga paratë e krimit.”
Shehaj nënvizon se që ekonomia shqiptare të rritet, duhet të largohet qeveria Rama për t’i hapur rrugën një qeverie të pakapur nga krimi.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi më herët kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Veliaj dhe kryeministrin Rama se e kanë kthyer Tiranën “në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista” dhe i bëri thirrje SPAK të nisë hetimet.
Më herët Veliaj i quajti “çudira fushate” përgjimet e dala nga antimafia italiane.
Për të lexuar më shumë për përgjimet e grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, ku dolën në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama, klikoni këtu.