Presidenti Hashim Thaçi deklaroi të enjten, se kryeministri Albin Kurti nuk legjitimohet të përfaqësojë ndërkombëtarisht Kosovën, veçanërisht në bisedimet me Serbinë, për shkak se qeveria e tij u rrëzua nga parlamenti.
Thaçi akuzoi Kurtin për shkelje të “hierarkisë kushtetuese” duke mos u konsultuar me Presidentin, si drejtues i politikës së jashtme të vendit, përpara se t’i paraqiste të dërguarit special të BE Miroslav Lajçak përbërjen e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi.
Javën e kaluar, Kurti i bëri të ditur Lajçak planin e tij për të udhëhequr një ekip prej 10 anëtarësh në dialogun me Serbinë, i cili përfshinte Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Parlamentit Vjosa Osmani, si dhe një përfaqësues nga secili prej shtatë grupeve parlamentare.
Gjykata Kushtetuese në vitin 2019 dhe rezoluta e fundit e parlamentit vendosën që vetëm qeveria e Kosovës mund të angazhohet në negociata për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.