Më 17 prill, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn do të vizitojnë Tiranën për të bërë publik Raport Progresin e Komisionit Europian (KE) mbi Shqipërinë.
Raport i mëparshëm i KE-së u publikua në fund të vitit 2016. Pas disa ndryshimesh, ai u votua në Parlamentin Evropian më 15 shkurt 2017. Megjithatë, raporti nuk u miratua zyrtarisht nga Këshilli Evropian, pasi Austria vuri veton.
Gjithsesi, pesë prioritetet kyçe të përfshira në Raport Progresin e 2016-ës, me këmbënguljen e Parlamentit Europian—reforma e sistemit të drejtësisë, reforma e administratës publike, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut—janë pikat kryesore në të cilat do të matet përparimi i Shqipërisë.
Duke folur objektivisht, përparimi i qeverisë Rama në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe ka qenë nën nivelin e vendosur nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të mundësonte hapjen e bisedimeve për Shqipërinë.
Pesë Prioritetet kryesore
1. Megjithëse kuadri ligjor i reformës në drejtësi u miratua me mbështetjen pozitë-opozitë, aktet nënligjore të cilat shoqërojnë paketën e reformës në drejtësi u miratuan në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste. Krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Byroja Kombëtare e Hetimeve dhe Prokuroria Speciale kanë kaluar afatet e vendosura (në shkelje të Kushtetutës) dhe me përjashtim të KED nuk janë krijuar dhe nuk ka gjasa të krijohen deri në fund të 2018-s. Ndërkohë, shumica në pushtet ka emëruar—vetëm me votat e saj dhe në shkelje të Kushtetutës—Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku.
2. Përsa i përket administratës publike, një raport i mbështetur nga BE dhe OSBE tregon se nuk është bërë përparim në profesionalizimin e administratës publike. Reforma e kryesuar nga ish-Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito ka qenë një dështim i plotë. Që nga zgjedhjet e qershorit 2017, administrata publike ka qenë objekt i një sërë nismash të dyshimta “vetingu” dhe sulmesh personale nga Kryeministri Rama.
Për më tepër, një raport i para pak ditëve i Freedom House përmend në mënyrë të qartë rrezikun e rrëshqitjes së Shqipërisë në një sistem autokratik.
3. Asnjë përparim nuk është bërë në luftën kundër korrupsionit. Reforma në drejtësi ka gjymtuar tërësisht sistemin gjyqësor, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese pa anëtarë, Gjykatën e Lartë me një numër të pamjaftueshëm anëtarësh dhe si pasojë mijëra raste të prapambetura që presin shqyrtim.
Për më tepër, Prokuroria Speciale, e cila supozohet të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë, me gjasa nuk do të formohet deri në vitin 2019, pasi procesi i vetingut të prokurorëve po ecën ngadalë.
Ndërkohë, shumica socialiste pengoi, duke votuar kundër në Kuvend, arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për korrupsion dhe trafik ndërkombëtar të drogës. Raste të tjera që përfshijnë ish-ministra dhe ministra të qeverisë Rama nuk kanë bërë ansjë përparim që nga zgjedhja e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku.
4. Po ashtu, asnjë përparim nuk është bërë në luftën kundër krimit të organizuar. Asnjë kriminal i nivelit të lartë nuk është arrestuar. Madje edhe Klement Balili i cili kërkohet nga Greqia, SHBA-të dhe Shqipëria nuk është arrestuar, pavarësisht deklaratave të përsëritura të ambasadorit amerikan Donald Lu se ai do të arrestohet “në ditët e ardhshme”.
Megjithëse, kultivimi dhe prodhimi i kanabisit duket se është ngadalësuar pas prodhimit rekord të vitit 2015 dhe 2016, duket se të ardhurat e kësaj tregtie fitimprurëse tani janë investuar në rrjetin e trafikimit ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe drogave të tjera të rënda, që dëshmohet nga sekuestrimet e sasive rekord të kanabisit, heroinës dhe kokainës në Itali, të cilat akoma duket se i shpëtojnë policisë shqiptare.
Ndërkohë, krimi i organizuar shqiptar është rritur në Britani të Madhe, Francë dhe Holandë, duke vënë në alarm ministrat e BE-së.
5. Përpjekjet e qeverisë për të drejtat e njeriut nuk tregojnë asnjë shenjë përmirësimi. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pronës dhe të drejtave të pakicave, qeveria Rama nuk ka respektuar konventat ndërkombëtare.
Banesa dhe prona të tjera private janë prishur në mënyrë arbitrare, pronat e bregdetit janë shpronësuar nga një vendim i qeverisë nën emrin “verifikim i pronës bregdetare” të miratuar nga qeveria, pronat e grupeve minoritare janë shkatërruar për t’i hapur rrugë për zbatimit të projekteve të “rilindjes urbane”.
Për më tepër, pas një debate publik të kohëve të fundit në lidhje me projektin e Komunitetit LGBT me financim të Këshillit të Evropës dhe të miratuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit për ndërgjegjsimit e nxënësve nëpër gjimnazet e Shqipërisë, qeveria e mohoi përfshirjen e saj, dhe zyrtarët heshtën përballë fjalimeve plot urrejtje të publikuar nga shumë media shqiptare.
Së fundmi, zgjedhjet mbten një problem ende serioz. Pas zgjedhjeve të fundit, një sërë informacionesh të dala nga hetime kriminale tregojnë se ka patur përpjekje serioze për blerjen e votave. Ndërkohë, asnjë hap nuk është bërë për reformën zgjedhore, që kërkohet me këmbëngulje nga OSBE-ODIHIR dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare.
Komisioni Europian: Pozitiv përballë realitetit
Në dallim nga të gjithë treguesit negative, Komisioni Evropian, i përfaqësuar nga Ambasadorja Romana Vlahutin, deri më tani nuk ka adresuar asnjë nga çështjet e mësipërme. Përkundrazi, Komisioni dhe Delegacioni kanë vënë në skenë një shfaqje që e paraqet gjendjen e Shqipërisë në një klimë shumë të mirë.
Në janar, Komisioni Europian u shpreh se afati për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë ishte 2019, ndërsa Exit.al ka marrë disa sinjale të ndryshme nga Ambasada e BE se raporti i Komisionit do të rekomandojë me të vërtetë hapjen e bisedimeve, dhe nuk do të përmendë çështje serioze si rritja e trafikut të drogës, apo përfshirja e ish-Ministrit të Brendshëm Tahiri në një organizatë kriminale ndërkombëtare.
Në një seri mesazhesh në Twitter më 7 prill, gazetari Vincent Triest citoi se një burim pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë është shprehur se progres raporti nuk do të paraqesë situatën e vërtetë në Shqipëri.
“Progres Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë është një gënjeshtër e madhe”, u shpreh një burim i huaj në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, i cili nuk dëshiroi të identifikohej për shkak të ndjeshëmërisë së çështjes. “Raporti përmban shumë gënjeshtra, me qëllimin e vetëm për të mundësuar zgjerimin e shpejtë. Shumica e konkluzioneve të tij nuk janë aspak të vërteta.”
Njësoj si në vitin 2016, i takon Parlamentit Europian që të vlerësojë në mënyrë kritike raportin, i cili fatkeqësisht do të jetë më shumë një përpjekje që u shërben burokratëve për të fshehur një qeverisje të kapur nga krimi se sa një portret i saktë dhe i dhimbshëm i dështimit të diplomacisë së BE-së për të shtyrë politikën shqiptare në drejtimin e duhur.
Së fundi, me rritjen e prirjeve nacionaliste dhe fashiste në të gjithë BE-në, në Hungari, Austri dhe Poloni, dhe një opozite nacionaliste të bardhë në Gjermani e cila qëndron në pritë për çdo veprim të Merkelit, ka shumë mundësi që Këshilli Europian ta shohë këtë Progres Raport të Komisionit me kujdesin më të madh.