PS-LSI, një marrëdhënie e komplikuar

PS-LSI, një marrëdhënie e komplikuar

Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i Ministrit të Drejësisë, dje, me urdhër të Kryeministrit Rama ka shkaktuar debate në opinion publik për mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

Faktikisht gjatë vitit të fundit marrëdhënia mes PS e LSI është vënë shpeshherë në pikëpytje. Krisja e parë, ose më e zhurmshmja, ishte ajo e ditëve përpara miratimit të reformës në drejtësi, në korrik 2016.

Kur PS e PD nuk po gjenin konsensus, kreu i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta propozoi miratimin me konsensus të reformës dhe krijimin menjëherë të një qeverie teknike që do përgatisë zgjedhje të parakohshme.

Këtë zgjidhje ai e justifikoi me klimën e mosbesimit që ekzistonte jo vetëm mes palëve politike, por edhe nga publiku për politikën në përgjithësi:

Miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.

Pas miratimit të reformës, kur dukej se çdo gjë u normalizua, dy aleatët filluan të mbanin qëndrime të ndryshme për një tjetër temë shumë të rëndësishme: kanabizimin e vendit.

Kur kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri mohonin zmadhimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis në gjithë vendin, Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të LSI-së në dhjetor 2016, deklaroi:

Shqipëria nuk mund të zhvillohet me kanabis. Në asnjë rast varfëria e përhapur nuk mund të luftohet dot me kanabis. Vendet e punës nuk hapen me kanabis.

Ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte po ashtu, një prej zërave më të ashpër kundër heshtjes së Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri për fenomenin e kanabizimit.

Në janar 2017, Zoti Manjani deklaroi:

Fenomeni [i kanabisit] ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash. Problemi është shumë serioz. Duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.

Arrestimi i Klement Balilit ishte një tjetër çështje ku LSI, e veçanërisht Ylli Manjani, ndahej me PS-në.

Deklaratës së Ambasadorit amerikan Lu ku theksonte paaftësinë e institucioneve shqiptare për të luftuar krimin e për të arrestuar Balilin, Zoti Manjani ju përgjigj:

Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Kelmend Balilit.

Dua të sjell në vëmendje se Ministri i Drejtesisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!  Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!

Për mosarrestimin e Klement Balilit, më 25 janar 2017, kreu i Kuvendit Ilir Meta i kërkoi Presidentit Nishani ngritjen e Komisionit të Sigurisë. Presidenti e pranoi këkresën e ti dhe vendosi mbedhjen e komisionit më 31 janar.

Pas këtij vendimi reagoi edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri, duke u shprehur se:

Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as për Lazaratin.

Pak ditë pas këtyre deklaratave e një ditë përpara se të zhvillohej mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Ylli Manjani shkarkohet me vendim të Kryeministrit Rama. Ky i fundit nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike mbi arsyet që e çuan në atë vendim. Gjithsesi disa nga përplasjet kryesore mes Ramës e Manjanit i bëri publike ky i fundit, dje në deklaratën e tij për shtyp.

Zoti Manjani u shpreh se shkarkimi i tij është hakmarrje e Kryeministrit Rama pas deklaratave të tij për kanabizimin e vendit, mosarrestimin e Klement Balilit, si dhe për faktin se nuk pyet Drejtorin e Komunikimit të qeverisë Endri Fuga për deklaratat e tij.

Megjithë shkarkimin e Ylli Manjanit dhe emërimin e Petrit Vasilit në postin e Ministrit të Drejtësisë, duket se paqja në koalicion nuk është rikthyer.

Dje në mbrëmje, kreu i sapoemëruar i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, la të kuptohej se LSI do ta vazhdojë koalicionin me PS-në pavarësisht pakënaqësisë së LSI-së me disa nga reformat kryesore, kur deklaroi:

Marrëdhëniet mes dy partive nuk kanë qenë ndonjëherë rozë. Kanë luhatje, por në thelb janë funksionale. Pavarësisht polemikave dhe diferencave në qendrime, reformat i kemi votuar dhe mbështetur edhe pse kemi qenë të bindur se një pjesë e tyre do të dështonin, si ajo në shëndetësi dhe ajo në arsim.

Unë flas në emër të LSI-së. Nëse [koalicioni] prishet nga të tjerët, të tjerët mbajnë përgjegëjsi vetë. Ne nuk prishim marrëveshje për të cilat jemi investuar maksimalisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>