Qeveria e quan të panevojshëm spitalin karantinë që premtoi një muaj më parë

Nga Exit News
Qeveria e quan të panevojshëm spitalin karantinë që premtoi një muaj më parë

Në muajin mars qeveria u angazhua publikisht të kthente mjediset e një ish-universiteti privat jashtë Tiranës në spital karantinë, por një muaj më vonë Zëvendësministrja e Shëndetësisë ka lënë të kuptohet se ky projekt nuk po ndiqet me të njëjtën urgjencë.

Në një intervistë për mediat, Zëvendësministrja Mira Rakacolli, u shpreh se aktualisht sistemi spitalor “ka kapacitete të mjaftueshme për përballimin e situatës së epidemisë”.

Rakacolli tha se “gjendja është komplet e kontrolluar pasi në spitale ka vetëm 34-35 pacientë me Covid-19”.

Më 25 mars qeveria u zotua të sajojë mjediset e ish-Universitetit Kristal në spital karantinë, në mjediset e së cilit do të përfitoheshin të paktën 100 shtretër.

Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi asokohe se ndërtesa do të rehabilitohej e më pas do të mobilohej me pajisje spitalore bazë për te përballuar fluksin e pacientëve me simptoma të lehta.

Kryeministri Rama kërkoi që ajo të bëhej gati për 20-30 ditë. Një muaj më vonë, situata duket ndryshe.

Spitali karantinë nuk është përfunduar dhe zëvendësja e Manastirliut e cilëson të panevojshme.

“[…] atëherë gjykohej se mund të kishim më shumë të sëmurë dhe ajo do të ishte në përdorim, fakti që ne nuk kemi më nevojë, për momentin flas, e përballojmë shumë mirë me këto kapacitete që kemi, nuk kemi nevojë për […]”

Të premten autoritetet shëndetësore raportuan 15 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 678 persona të prekur, prej të cilëve 394 janë shëruar dhe 27 kanë vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>