Teksa naftëtarët kanë hyrë në ditën e 14 të grevës, gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm.
Deri më tani, 3 prej tyre u dërguan në spital nga ku dhe po trajtohen. Naftëtarët e tjera paraqiten në gjendje të rënduar shëndetësore.
Të premten, ata lajmëruan se kanë prerë kontaktet me familjarët, dhe u zotuan se dalin nga greva vetëm me barelë.
Ata i kanë bërë apel në mënyrë të përsëritur kryeminitrit Rama që të gjejë sa më parë një zgjidhje për të detyruar kompaninë të paguajë pagat e prapambetura ndaj naftëtarëve.
Por kryeministri Rama hoqi çdo përgjegjësi nga qeveria për mosmarrjen e pagave të naftëtarëve të Ballshit. Në konferencën për shtyp, të martën Kryeministri e e quajti të panevojshme grevën e urisë së naftëtarëve sepse ‘gjërat mund të zgjidhen me dialog’ sipas tij.
Kjo është greva e dytë e naftëtarëve brenda një viti.
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.