Kryeministri Edi Rama falenderoi të premten drejtorin e Policisë Ardi Veliu, duke thënë se ka ndihmuar në zbardhjen e vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha.
“Është një meritë edhe e drejtorit të Policisë së Shtetit për integritetin dhe respektimin e procedurave për zbardhjen e të vërtetës sa më parë dhe me drejtësi”, deklaroi kryeministri.
Rama e ka cilësuar sërish si një vrasje aksidentale vrasjen e të riut. Pak ditë më parë i ati i Klodian Rashës reagoi ndaj kryeministrit, pasi edhe në VKM për ndihmën ekonomike ishte cilësuar si vrasje aksidentale.
Në një prononcim për ABC Neës, Qazim Rasha u shpreh i indinjuar që vrasja e djalit të tij nga policia është cilësuar si “aksidentale”. Ai pretendon se ajo është bërë me paramendim dhe për këtë nuk ka asnjë lloj alibie.
“Qeveria ka vendosur t’i japë një pension të veçantë familjes, që është një akt përgjegjësie, akt i marrjes pjesë në dhimbjen e familjes. Ai është vrarë aksidentalisht nga punonjësi i policisë, ndaj po merr pension të veçantë”, tha Rama.
Qeveria vendosi t’i japë Qazim Rashës, babait të viktimës, një pension sa 8-fishi i pensionit social, ose gati 90 mijë lekë të reja. Por në vendimin e saj thuhet se Klodian Rasha humbi jetën në mënyrë aksidentale.
Protestuesit gjatë 6 ditëve protestë kërkuan dorëheqjen e Ardi Veliut. Por në një reagim për gazetarët kryeministri Rama tha se protestuesit duhet ta harronin diçka të tillë.
“Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!”, tha Rama.