Kryeministri Edi Rama falënderoi të martën kundërshtarët e tij politik “për ndjeshmërinë” që treguan pas vdekjes së Bashkim Finos.
Rama tha nga një takim elektoral në Lezhë se solidariteti i treguar të hënën “duhet të vijojë e të mos shohim skena me mijëra njerëz në takime”.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë Bashkim Fino u nda nga jeta të hënën si pasojë e Covid19. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e kujtuan Finon, me fjalët:
“Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit”.
Rama ka ripërsëritur kritikat e tij për PD për takimet elektorale. Kreu i PS ka sulmuar disa herë PD për takimet duke thënë se është duke shkelur rregullat.
“Të bëjmë atë detyrë që na takon, të mos shkelim ligjin, rregullat, të mos shkelim kufirin të njerëzores për politikë dhe për vota, duke i vënë njerëzit në rrezik, duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimesh absurde”, tha Rama të martën.