Duke shfrytëzuar qenien në pushtet, kryeministri Edi Rama e ka kopjuar dhe e ka kapërcyer ofertën e PD-së për taksat e biznesit të vogël, duke i hequr opozitës një nga propozimet kryesore për zgjedhjet e ardhshme.
Në emisionin ‘Me pak fjalë’, u diskutua sot për propozimet e PS-së dhe PD-së për heqjen dhe uljen e taksave të biznesit të vogël.
Qeveria Rama ka vendosur që mbi 87% për qind e bizneseve nuk do të paguajnë taksa, duke filluar nga 1 janari 2021. Kjo është një gjendje e pazakontë, të paktën në botën e zhvilluar ekonomike. Ato që përfitojnë janë biznese të vogla, individë të vetëpunësuar, të përfshirë në punimin e tokës vetjake, të shitjeve dhe të bar-restoraneve.
Biznesi i vogël zë një peshë shumë të vogël në ekonominë e vendit, si dhe është kontribues i vogël në të ardhurat tatimore.
Në vitin 2018, biznesi i vogël shënoi fitim prej gati 40 milionë euro, ndërkohë që kontriboi më pak se 4 milionë euro në tatime.
Në fakt, rëndësia kryesore e biznesit të vogël është se ai është burim punësimi. Biznesi i vogël punëson qindra mijëra persona dhe është burim të ardhurash për qindra mijëra familje.
Ndaj, kryeministri dhe kryetari i opozitës janë futur garë për të treguar se kush kujdeset më shumë për bizneset e vogla, duke ju ulur taksat.
Ulja e taksave ka qenë prioritet kryesor i PD-së.
Ndërsa Basha propagandonte heqjen e taksave për bizinesin e vogël, Rama si kryeministër u përpoq të luftonte evazionin dhe rritur të ardhurat duke e përfshirë një pjesë të biznesit të vogël në skemën e TVSH-së.
Fushata zgjedhore afroi dhe Kryeministri Rama e braktisi qendrimin e tij të rreptë ndaj biznesit dhe mori qendrim thuajse të njejtë me atë të Bashës.