Tashmë është bërë rutinë e zakonshme. Sa herë Kryeministri Edi Rama ndjen probleme të brendshme në Shqipëri, shfaqet menjëherë ndonjë artikull pozitiv për të në shtypin ndërkombëtar të artit.
Shqipëria është një nga vendet shembullore në të cilin reagimi ndaj pandemisë COVID-19 ka fuqizuar prirjet autokratike të qeverisjes.
Raportet e fundit kanë shënuar përkeqësim të lirisë së medias në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonte kaq, javën e shkuar, qeveria vendosi të bllokojë faqen Medium.com, vetëm sepse gaztori i regjimit dhe homofobi profesionist Ermal Mamaqi ishte ankuar se ishin postuar disa lidhje pirate të filmit “I love Tropoja“, një sallatë e shkëlqyer e shfrytëzimit të stereotipeve.
Ky bllokim u kritikua nga një sërë organizatash ndërkombëtare për lirinë e medias.
Prandaj, për të balancuar këtë publicitet negativ, u thirr ne ndihmë ArtNet për t’i shërbyer Ramës me një mori pyetjesh të buta e të hulumtuara keq.
Artikulli, i titulluar “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është gjithashtu një artist profesionist. Ja si po i balancon ai këto role gjatë pandemisë së koronavirusit,” u shkrua nga redaktorja për Evropën e ArtNet, Kate Brown.
Ajo duket se duhet të ketë jetuar dy dekadat e fundit e strukur në ndonjë gropë të thellë pasi e përshkruan Kryeministrin tonë si një “risi marramendëse për artin dhe botën e politikës.”
Ky është vetëm një nga shfaqjet e shumta të servilizmit përgjatë një interviste të kotë e pa asnjë thelb.
Natyrisht, artikulli fillon me lajkat e zakonshme, duke e përshkruar Ramën në një pritje pas hapjes së një ekspozite të tij në Berlin, me sa duket në fillim të vitit 2019.
“Heshtja duket se e ndiqte atë. Me trup të gjatë dhe i veshur me atlete të bardha që shkëlqejnë, ai rrethohet nga roje trupmëdha me rroba të errëta.”
Është e pabesueshme se si atletet e bardha të Ramës vazhdojnë t’i shndërrojnë gazetarët në papagaj të mahnitur me gjatësinë e tij.
Fatkeqësisht, kjo është ana e errët e gazetarisë botërore të artit në kohët e sotme.
Brown vazhdon të ndjehet e mahnitur përballë Ramës, “një artisti të vlerësuar dhe një politikani me profil të lartë”, i cili është “një rast i pazakontë në të dy profesionet e tij. Zyra e tij hijerënde shtetërore ka funksion të dyfishtë, edhe si studio artistike, dhe është zbukuruar me letër muri të zgjedhur prej vetë tij. Një mori lapëstilësh shumëngjyrëshe zbukurojnë tavolinën e tij.”
Një paragraf të tillë e kemi parë, tashmë, me dhjetëra e dhjetëra herë, por cili është qëllimi i tij? Çfarë na thotë dhe për çfarë na duhet ky përshkrim?
Natyrisht, nuk është vënë aty për të informuar publikun, i cili ka gati një dekadë që ndeshet me gazetari të cekët që mbulon karrierën artistiko-politike të Ramës, në përsëritje të pafund klishesh.
Jo, ky paragraf, sikurse atletet e bardha, është shkruar pikërisht për të përforcuar “markën Edi Rama”.
Artikulli bëhet veçanërisht i pakënaqshëm në momentin kur Brown lë pas anekdotat dhe përpiqet të ofrojë një “interpretim”.
Do të të ishte e paarsyeshme të pritej nga një gazetar që të arrijë një nivel të lartë sofistikimi teorik, por së paku Brown mund të kishte shfletuar disa nga shkrimet që diskutojnë punën e vërtetë të Ramës dhe lidhjen mes artit tij dhe politikës së tij.
Në vend të kësaj, ajo bën një përpjekje të zbehtë për t’i lidhur këto dy pjesë: “Rama nuk është tamam një artist politik, por veprat e tij shpesh shfaqen si dokumente politike të tejzgjatura — tinguj meditues me ngjyra që duket se rriten në mënyrë organike mbi faqet e dokumentave zyrtare shqiptare.”
Me një veprim refleksiv, që duket se është gdhendur në imagjinatën kolektive të shkrimtarëve të artit në të gjithë botën, Brown gjen strehë në një projekt të 20 viteve më parë, për të rikthyer diskutimin mbi pandeminë e COVID-19:
“Arti mund të ndihmojë në kohë ndryshimesh ose krizash të mëdha. Duket se ju e kuptuat këtë në projektin tuaj për rilyerjen e fasadave në Tiranë me ngjyra të ndezura në vitin 2003. Me sa kuptoj, ky projekt nuk ishte një vepër arti, por një veprim politik. A keni menduar për artin publik ndryshe si kryeministër, veçanërisht kur përballeni me tërmetin dhe tani me krizën e COVID-19?”
Nuk dua të përqendrohemi në dikotominë midis artit dhe politikës, ku Brown duket se insiston pa ndonjë vetëdije të qartë për implikimet e saj.
Le të vështrojmë më mirë përgjigjen e Ramës, ndoshta më e dobta e dhënë nga ai ndonjëherë:
“Jo në të vërtetë. Unë hezitoj të përziej artin me politikën dhe anasjelltas, megjithëse më duhet të pranoj që prejardhja ime si artist ka përcaktuar shumë mënyrën time të të parit të hapësirës së veprimit politik dhe nevojën për bukuri në hapësirën publike.”
Ky shpjegim, “për të mos përzierë artin me politikën dhe anasjelltas” qëndron në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjëratën e tij në Creative Time nga viti 2014, ku Rama deklaroi se “impulsi i tij politik ishte shkrirë me impulsin artistik” dhe se ai ishte “i lumtur që ishte në gjendje të bashkonte artin dhe politikën.”
Por, ky bashkim i lumtur duket se i përket një epoke tjetër. Pakënaqësia e sapokrijuar është në vazhdën e deklaratave të tij në Die Zeit vitin e kaluar: “Arti nuk mund të ndryshojë shumë. Ndoshta do të shkoja aq larg sa të thoja se arti nuk mund të ndryshojë asgjë.”
Sidoqoftë, Rama pohoi se në rastin e shkrimtarit Peter Handke, i cili fitoi Çmimin Nobel vitin e kaluar, “ndarja e veprës letrare të Handke nga politika e tij do të ishte një gabim i madh.”
Pra, duket se arti është i rëndësishëm në botën reale—por vetëm për disa?
Rama madje pranon se është “i lodhur” dhe “i turpëruar” nga referencat e vazhdueshme të Hans Ulrich Obrist mbi punën e tij, ku ajo përshkruhet si ndonjë kryevepër e estetikës së marrëdhënies:
“E vërtetë, jam i lodhur. Ose, për ta thënë hapur, jam në siklet sa herë që më duhet të përgjigjem ndaj saj. Ndoshta Hans-Ulrich Obrist ka të drejtë, por nuk e shoh shumë në veprimin tim. Por, po, unë e ndiej shumë këtë në personin tim.”
Çfarë do të thotë kjo? Si një artist dhe politikan nuk e sheh përzierjen e artit dhe politikës “në veprimin e tij”, edhe pse ai e ndjen atë “në personin e tij”?
A mos po kërkon të thotë “edhe pse puna ime mund të mos e tregojë, unë ndihem me të vërtetë si ai gjeniu që Obrist shikon tek unë”?
Nëse po, atëhere kjo deklaratë zbulon edhe një herë nocionin shumë të vjetëruar romantik të “gjeniut të pavlerësuar” që është themeli i punës së Ramës dhe, ndoshta, personalitetit të tij.
Por nëse arti nuk mund të ndryshojë asgjë, nëse “veprimi” i tij është i pasuksesshëm dhe ai i kalon ditët e tij në dokumente me bojëra uji ndërsa mediton misterin e madh të politikës shqiptare, atëhere për çfarë dreqin ka kërkuar të intervistohej nga Artnet për të folur për artin dhe politikën gjatë një pandemie?
Sepse—dhe kjo është ajo çka Brown dhe të gjithë gazetarët e tjerë të artit vazhdimisht nuk arrijnë ta kuptojnë—intervista dhe ekspozimi janë te vetmet gjëra që kanë rëndësi.
Për Ramën, politik nuk është arti i tij, por prezantimi i tij si “një artist”, dhe kjo e fundit përdoret politikisht. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme për të të japë intervistave të shpeshta me fokus njerëzor për gazetarët kulturorë të painformuar për realitetin e politikës në Shqipëri.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kesh një llogari në Instagram ku mund të postosh fotografitë me autokratë që buzëqeshin me punën tendë në duar.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për të që emri i tij të përmendet diku tjetër, ndërsa edhe një tjetër raport kritikon shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e regjimit që ai drejton.
Kate Brown, ti je vepra politike e artit të Edi Ramës.