Rritet krimi në vend, policia e paaftë të zbardhë ngjarjet

Rritet krimi në vend, policia e paaftë të zbardhë ngjarjet

Teksa krimi në vend po rritet gjithnjë e më tepër, policia shqiptare nuk po arrin të zbardhë ngjarjet, të arrestojë personat e duhur apo të godasë bandat e drogës. Ndryshe ndodh në Greqi dhe Itali ku policia  pothuaj çdo ditë kap sasi të konsiderueshme droge të ardhur nga Shqipëria, si dhe arresojnë shqiptarët e përfshirë në trafik.

Gjatë dy javëve të para të muajit shkurt në Shqipëri u ekzekutua një person në atentat mafioz, tetë persona u plagosën në përplasje me armë, dhe u kryen dy atentate me tritol dhe zjarrëvënie.

Kështu:

Më 18 shkurt, në Laç, një person u plagos si pasojë e përplasjes me armë me një person tjetër.

Më 17 shkurt, në Fier një 53 vjeçar u qëllua me thikë, ndërsa i dyshuari u shpall në kërkim nga policia.

Më 16 shkurt në Tiranë,pas një përplasje me armë ndërmjet dy grupeve rivale u plagos Gjon Pelivani dhe R.H.

Më 15 shkurt, në Lezhë, një person u plagos me armë zjarri dhe në Tropojë, një person u plagos pas një përplasje me thikë.

Më 14 shkurt, në Tiranë, u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni 64 vjeçar Memli Begalla; ndërsa në Shkodër u vendos tritol në garazhdin e një ndërtese.

Më 13 shkurt, në Vaun e Dejës, një i ri u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.

Më 12 shkurt, në Vlorë, persona ende të paidentifikuar i vunë zjarrin qëllimisht makinës së biznesmenit Eduard Alikajt.

Më 7 shkurt, në Elbasan, një 23 vjeçar u plagos me armë zjarri.

Më 2 shkurt, shpërtheu nga një sasi tritoli një  makinë në Kaninë.

Pothuaj në të gjitha rastet, policia nuk ka zbardhur ngjarjet dhe nuk ka arrestuar autorët.

Situata bëhet më serioze po të shohim operacionet kundër drogës të policisë shqiptare.

Përveç, një gomoneje të ngarkuar me 500 kilogramë drogë dhe të braktisur nga trafikantët në Vlorë, policia shqiptare ka sekuestruar sasi të vogla droge dhe ka arrestuar shpërndarësit e vegjël dhe të parëndësishëm.

Më 13 shkurt, tre persona u arrestuan në Tiranë me 68 doza kanabis; ndërsa në Vlorë një 35 vjeçar u arrestua me 3.6 gramë heroinë.

Situata ndryshon në Itali dhe Greqi, si për shembull:

Policia italiane gjatë këtyre ditëve ka kapur 1661 kilogramë kanabis, 42 kilogramë heroinë dhe 6 kilogramë kokainë të ardhur nga Shqipëria. Nga këto operacione janë arrestuar 41 shqiptarë.

Ndërsa policia greke ka kapur rreth 542 kilogramë kanabis dhe ka arrestuar 14 shqiptarë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>