Rusia rrestoi 5 mbështetës të opozitarit, Alexei Navalny, sipas një raporti të Reuters.
Mbështetësit e Navalny-t po përgatiteshin për protesta masive, si pasojë e përkeqësimit në burg të gjendjes së tij shëndetësore.
Autoritetet ruse i cilësuan demonstratat të paligjshme, duke u justifikuar thyerjen e masave kundër pandemisë.
Pas dënimit me burg të Navalny-t, policia arrestoi mijëra njerëz në protestat në fillim të vitit.
Navalny deklaroi para disa javësh se do të niste grevën e urisë për shkak të problemeve me shëndetin dhe mungesës së kujdesit shëndetësor.
Autoritetet e burgut deklaruan se Navalny u trasferua të dielën në një burg me spital dhe se aktualisht po mjekohej me “terapi me vitamina”.
Të hënën, çështja e tij u diskutua nga Këshilli i Sigurimit të BE, në përfundim të së cilës Shefi i Politikës së Jashtme europiane, Joseph Borrel kërcënoi Rusinë se do të mbante përgjegjësi për Navalny-n.
Më herët, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden e quajti të padrejtë trajtimin e opozitarit rus.
Ndërkohë, përkrahësit e Navalny-t përballen edhe me përpjekjen e autoriteteve vendase për t’i etiketuar si grup ekstremist.