Serbia do të mbajë një referendum për çdo marrëveshje të mundshme me Kosovën, ka deklaruar Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
“Serbia është e gatshme për një kompromis, Serbia është sigurisht e gatshme të diskutojë një kompromis dhe janë njerëzit që do të vendosin në fund,” deklaroi Vuçiç në një intervistë për Euronews Serbia, të martën.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, pas luftës së 1998-1999, e cila përfundoi pasi NATO bombardojë Serbinë.
Të dy vendet janë përfshirë në një dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, që synon “normalizimin e marrëdhënieve”. Kosova pret të marrë njohjen e Serbisë në fund të dialogut; Serbia pret disa përfitime por zotohet të mos njohë Kosovën.
Vuçiç ka deklaruar në shumë raste se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Sidoqoftë, objektivi kryesor i vendit për të hyrë në BE është në kundërshtim me një qëndrim të tillë, pasi vendet anëtare të BE-së duan që Serbia të zgjidhë mosmarrëveshjen e saj me Kosovën përpara pranimit.
Kisha serbe është gjithashtu një kundërshtare e fortë e çdo zgjidhje që përfshin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kisha ka ndikim të fortë politik në Serbi. Madje edhe të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi, të BE-së dhe SHBA-ve takohen me udhëheqësit e kishës në Beograd.
Duke folur për kundërshtimin e kishës për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Vuçiç paralajmëroi se ekziston një konflikt i ngrirë tani midis Serbisë dhe Kosovës i cili mund të çojë në një katastrofë nëse nuk zgjidhet.
Një dokument politik i publikuar së fundmi nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) zbuloi se Vuçiç ka pushtetin politike për të bërë një marrëveshje me Kosovën, por ai duhet të përgatisë qytetarët për këtë.