Trupat ushtarak amerikan kanë filluar të largohen nga Afganistani.
Sipas një raportimi të Reuters, i cili citon një zyrtar ushtarak amerikan anonim, aktualisht në Kabul ndodhen rreth 4 mijë trupa ushtarak, prej 5800 trupave që ishin më herët.
Aleatët pritet t’i tërheqin të gjithë trupat nga vendi deri të martën, 31 gusht, pasi presidenti amerikan Joe Biden nuk pranoi të qëndrojë përtej afatit të përcaktuar në marrëveshjen me talebanët.
Gjithashtu, SHBA-ja i friksohet një tjetër sulmi terrorist, si sulmet kamikaze të së enjtes, të organizuara nga një filial i Shtetit Islamik, i quajtur ISIS- Khorasan.
Të shtunën, pas raportimeve kontradiktore fillestare, Pentagoni konfirmoi se kishte vrarë jo një, por dy prej ideatorëve të sulmeve në fjalë e kishte plagosur një të tretë.
Nga ana tjetër, regjimi taleban, ndonëse i konsideron ISIS-K si armiq, dënoi kundërpërgjigjen e amerikanëve për shkak se nuk ishte paralajmëruar.
Por, Pentagoni ka paralajmëruar se operacione të tilla do të vazhdojnë.
Kundërpërgjigja e SHBA-ve erdhi fill pas premtimit për shpagim të presidentit Biden ditën e djeshme.
Tërheqja e forcave amerikane nga Afganistani vjen 20 vjet pas pushtimit të vendit në fund të 2001, për shkak se regjimi i vjetër taleban strehonte militantët e al Qaeda-s, që organizuan sulmet e 11 shtatorit.