Seanca e planifikuar për të hënën për Arbër Çekajn, është shtyrë për shkak se një gjyqtar në Gjykatën e Posaçme është infektuar me Covid-19.
Kjo është e 11 herë që seanca shtyhet. Me 5 korrik, gjykata shtyu seancën për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Cekaj, Maks Haxhia.
Arbër Çekaj dhe dy të arrestuarit e tjerë akuzohen për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, në shkurt 2018.
Arbër Çekaj u ekstradua nga Gjermania më 19 shtator 2019 dhe doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda më 21 shtator. Gjykata konfirmoi masën e arrestit ‘arrest me burg’.
Menaxheri i kompanisë Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit Armando Pezaku janë arrestuar në flagrancë që në shkurt 2018, kur u kap dhe sasia e kokainës në portin e Durrësit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për Çekajn, 16 vite për Donaldo Lushajn, menaxher i kompanisë, dhe 8,8 vite burg për Armando Pezakun, shoferin e kamionit.
Të tre të akuzuarit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndaj në rast se gjykata pranon dënimet e kërkuara nga prokuroria, të dënuarit do të vujnë vetëm 2/3 e dënimit.
Për Arbër Çekajn dënimi do të ulej në 14 vite, për Donaldo Lushajn në 10 vite e 8 muaj, ndërsa për Armando Pezakun në 6 vite e 10 muaj.