20 vjet me parë: Rama mbështeste Metën për të mos ndërtuar në qendër të Tiranës

Nga Gerard Gega
20 vjet me parë: Rama mbështeste Metën për të mos ndërtuar në qendër të Tiranës

Presidenti Ilir Meta publikoi sot një intervistë të vitit 2000 të Edi Ramës, i cili angazhohej asokohe për mbrojtjen e vlerave historike të qendrës së kryeqytetit dhe për të ndaluar tjetërsimet e mundshme.

Në postimin e tij, Presidenti theksoi faktin se sot, rreth 20 vjet më pas, Rama ka ndryshuar qëndrim për atë që quhej qendër historike të Tiranës, përfshi këtu edhe Teatrin Kombëtar.

Në videon e shkëputur nga emisioni Opinion i datës 10 prill 2000, Rama flet me gazetarin Blendi Fevziu rreth nismës së qeverisë për të shpallur qendrën e Tiranës monument kulture.

Rama, asokohe Ministër i Kulturës dhe Sporteve e përshkruante kështu nismën e qeverisë për ta shpallur qendrën “ansambël monumental”:

Ansambël Monumental do të thotë se kjo qendër do të konservohet dhe mbi të do të investohet për të bërë restaurimin e plotë, qoftë për shtresën mbuluese të bulevardit, qoftë të fasadave të ndërtesave, qoftë të ndriçimit… e kështu me radhë. Ndërkohë çfarëdolloj projekti që do të propozohet në të ardhmen, brenda kufijve të kësaj qendre, do të duhet të marrë, përveç miratimit të zakonshëm, edhe miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, që është i vetmi institucion që ka në kompetencë të propozojë përmes Ministrisë së Kulturës shpalljen e asambleve monumentale dhe njëkohësisht të diktojë kushtet e trajtimit të këtyre ansambleve.

Në pjesën të cilën Presidenti Meta ka shkëputur, Rama thekson edhe më shumë qëndrimin personal, por edhe të Metës, asokohe Kryeministër për sa i përket ruajtjes së vlerave historike:

Bëj me dije që kjo iniciativë është një përputhje midis këtij studimi të Institutit të Monumenteve dhe vullnetit të plotë të Kryeministrit (Meta) për të vendosur, si të thuash, një veto të fortë të qeverisë dhe timen personalisht në mbrojtje të qendrës historike të kryeqytetit, duke parë që këtë gjë duhet ta kishte bërë me kohë Bashkia e Tiranës dhe nuk e ka bërë, bile, çuditërisht e ka lënë për tani në fund, në formë testamenti… që kjo iniciativë e Kryeministrit Shqiptar dhe qeverisë shqiptare do ta nxjerri bulevardin e Tiranës nga errësira.

Pasi u bë kryetar i Bashkisë Tiranë, Rama ndryshoi qëndrim.

Ai përkrahu dhe propozoi projekte që tjetërsuan qendrën dhe i hapën rrugë ndërtimeve të shumta të kullave.

Qendra e Tiranës kishte statusin ansambël monumental, por vetë Rama nisi shkatërrimin e saj me projektin e tij në fund të mandatit të tretë dhe e konkretizoi atë duke mbështetur projektin për pedonale të Sheshit Skënderbej nga Erion Veliaj.

Edhe Stadiumi Qemal Stafa ishte pjesë e ansamblit monumental dhe nuk u kursye nga Rama në projektin me kullë të Arenës Kombëtare.

Teatri Kombëtar ishte gjithashtu pjesë e këtij ansambli monumental, por statusi iu hoq në vitin 2017 për t’i lënë rrugë projekteve për të tjera kulla në qendër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>