Çfarë do të ndodhë në Këshillat Bashkiakë pas zgjedhjeve të 25 qershorit – Exit shpjegon

Çfarë do të ndodhë në Këshillat Bashkiakë pas zgjedhjeve të 25 qershorit – Exit shpjegon

Në zgjedhjet e 18 qeshorit, PS fitoi shumicën, 74 nga 140 mandate në Parlament. Këto numra i japin të drejtën PS të formojë e vetme qeverinë e re, por ndryshe nga pushteti ekzekutiv, gjendja në pushtetin vendor është e ndryshme.

Në zgjedhjet vendore të 2015, koalicioni i majtë fitoi shumicën e mandateve në këshillin bashkiak në 58 bashki nga 61 bashki të vendit. Koalicioni i djathtë fitoi shumicën e vendeve në Këshillin Bashkiak në Bashkinë e Shkodrës dhe Vaut të Dejës. Dhe partia e minoritetit grek MEGA fitoi shumicën në bashkinë e Finiqit.

Por, tani me largimin e LSI-së nga koalicioni i majtë, panorama në këshillat bashkiakë ka ndryshuar. PS ka humbur shumicën në 42 këshilla bashkiak, ndër to edhe në bashki të rëndësishme si Tirana, Durrësi, Lezha, Gjirokastra, Fieri, Elbasani, Berati, Kavaja, Kamza e Kukësi.

Me konfigurimin e ri, partitë në opozitë PD dhe LSI kanë shumicë mandate. Për shembull në bashkinë Elbasan PD dhe LSI kanë 26 nga 51 vende në këshill. E njëjta gjë vlen për në Fier, Lushnjë, Berat, Maliq, Kavaje, Kukës dhe disa komuna të tjera ku dallimi midis PS dhe PD-LSI është një vend i vetëm.

Ndryshimet më të dukshme kanë ndodhur në ato bashki ku LSI kishte shumicën. Për shembull, në Skrapar, opozita e re PD-LSI ka një shumicë prej 80 për qind dhe në Vorë 76 për qind të vendeve në këshill. Gjithashtu Kamza, ku koalicioni i krahut të majtë kishte një shumicë të vogël prej 54 për qindësh, tashmë ka një shumicë PD-LSI.

Një situatë e ngjashme politike ndodhi në vitet 2013-2015, kur LSI la koalicionin me PD-në dhe u afrua me PS-në. Në shumë këshilla bashkiakë PD humbi mbështjetjen pasi tashmë shumica i takonte PS-LSI.

Tani me rishpërndarjen e re të mandateve në keshillat bashkiakë, mbetet për t’u parë se si do të veprojnë kryebashkiakët ne këto bashki. Më e rëndësishme është ndryshimi i forcave në këshillin bashkiak të Tiranës. Megjithëse deri më tani këshilltarët bashkiak të LSI, edhe pse jashtë koalicionit të majtë, kanë votuar çdo vendim të Kryebashkiaku Veliaj, mbetet për tu parë nese kjo klimë mirëkuptimi do të vazhdojë edhe dy vitet e ardhshme. Në Tiranë, opozita e re PD-LSI ka 32 nga 61 vende në këshill. Kjo do të thotë se vetëm 2 “këshilltarë jobesnikë” të opozitës do të mjaftonin për ta zhvendosur sërish këshillin bashkiak ne favor të Kryebashkiakut Veliaj.

Lajme te ngjashme