
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim dhe ai i BE-së Luigi Soreca takuan sot kryetaren në detyrë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Lajmin e bëri të ditur ambasadori Soreca, i cili në një postim në Twitter shkruan:
“Së bashku me ambasadoren Kim, takova sot zonjën Vitore Tusha, në funksionin e saj të Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Emërimeve (KED).
Një Gjykatë Kushtetuese funksionale (GJK) është një kusht kryesor për hapjen e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Evropian dhe për demokracinë e stabilitetin e Shqipërisë …”
Ndërkohë ambasadorja Kim përgëzoi gjyqtaren Tusha për gadishmërinë për zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke shprehur mbështetjen e SHBA-ve ndaj saj dhe magjistrantëve që kanë kaluar vetingun.
“Respekt ndaj gjyqtares Tusha për vendosmërinë e saj për zbatimin e Reformës në Drejtësi. SH.B.A mbështet fuqimisht atë dhe gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kanë kaluar vettingun. Koha që institucionet të ngrihen dhe të tregojnë pavarësi dhe integritet.”
Vitore Tusha është aktualisht kryetarja në detyrë e KED, pas largimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Tushës i ka mbaruar mandati si anëtare e Gjykatës Kushtetuese që mars të 2017.