Kryeministri Edi Rama përuroi të mërkurën Spitalin ‘Memorial’ të Fierit, një dhuratë e qeverisë turke i ndërtuar nga kompania e konçesionare e aeroportit të Vlorës, YDA Group.
Në fjalën e tij, Rama falënderoi presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, për ndërtimin e spitalit brenda 3 muajve:
“Jam krenar që kemi një vend kaq mik dhe të gatshëm për të na ndihmuar. Këtu do punohet përditë për fazën e re të reformës shëndetësore në Shqipëri”.
Gjithashtu edhe Presidenti i Turqisë Erdogan, përgëzoi Shqipërinë për hapjen e spitalit të Fierit, përmes një video mesazhi nga Turqia:
“Spitali Rajonal në Fier është investim i rëndësishëm i Turqisë. Spitali ka kushte moderne. Do vazhdojmë t’i shërbejmë Shqipërisë. Uroj që ky spital i miqësisë, të shpërndajë sa më shumë mirësi për vëllezërit shqiptarë”.
Turqia investoi rreth 60-70 milionë euro për të ndërtuar spitalin e Fierit. Drejtuesi i kompanisë ndërtuese të Spitalit të Fierit, YDA Group, gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve,u shpreh se:
“Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Rexhep Tajip Erdogan, javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë. Duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë”.
Historiku i Spitali të Fierit
Spitali i Fierit nisi si premtim i presidentit Erdogan ndaj kryeministrit Edi Rama më 6 janar 2021. Gjatë një konference për shtyp bashkë me kryeministrin Rama, Erdogani premtoi ndërtimin e spitalit brenda 3 muajsh, para zgjedhjeve.
Erdogan u shpreh se spitali i Fierit do të pajiset nga qeveria turke me të gjitha mjetet dhe aparaturat e nevojshme. Spitali do të ketë 380 të punësuar, prej të cilëve 50 do të jenë nga Turqia.
Punimet në Spitalin e Fierit u shoqëruan me konflikte nga banorët, të cilët kishin prona në zonën ku u ndërtua spitali. Por punimet vijuan pavarësisht këtyre konflikteve. Pronarët e tokave u shpronësuan.
Kryeministri Edi Rama i takoi personalisht pronarët e tokës në Fier. Edhe pse pati kundërshtime nga pronarët, Rama këmbënguli që spitali të ndërtohet në atë tokë.
Rama i premtoi pronarëve të tokës: dëmshpërblim sipas ligjit, dëmshpërblim nga qeveria për çdo ditë vonese për pagesën e shpronësimit, si dhe mundësinë që të ngrejnë njësi shërbimi për pacientët dhe familjarët e tyre.
Ndërkohë pronarët paralajmëruan se do të ankoheshin në gjykatë për të mbrojtur pronën e tyre. Rreth 12 familje, pronare të tokës e kundërshtuan fillimisht të lironin tokën.