Studentë, le ta ndihmojmë Kryebashkiakun Veliaj “nga fitorja në fitorje”!

Nga Exit
Studentë, le ta ndihmojmë Kryebashkiakun Veliaj “nga fitorja në fitorje”!

Bashkia e Tiranës po përgatit një “bid-book” (letra tenderi, në një përkthim të fjalëpërfjalshëm dhe, ruajna Zot, aspak ironik) për të marrë pjesë në garën për përzgjedhjen e Kryeqytetit Evropian të të Rinjve (EYC) për vitin 2022.

Në një mesazh të qarkulluar në Bordin Rinor, të atashuar pranë Bashkisë Tiranë, kërkohet kontribut i gjithsecilit për “listimin e të gjitha aktiviteteve, projekteve, programeve që lidhen sadopak me të rinjtë për ti parashtruar gjatë fazës së aplikimit.

Ndërkohë ju ftojmë të shkundi kokat dhe, bashkë me to, edhe mendimet djallëzore se viti 2022 mund të na gjejë një shoqëri pa idhuj. Rinia nuk do ta tradhëtojë idealin për të ngritur pareshtur statuja idhujsh në mendjet e mpira rinore. Bashkia dhe institucionet që i bëjnë hije janë dhe do të mbeten në duar të sigurta gjer në përjetësi, dhe Kryebashkiaku Veliaj do të jetë aty, në krye, për ty, për mua, për fëmijët tanë.

Për të qenë “fair” me veten tonë dhe me të rinjtë që kanë mbushur rrugët në protesta, e shohim me rëndësi të theksojmë se, ashtu si Bashkia Tiranë, redaksia e Exit.al dhe studentët besojnë se “Tirana i plotëson të gjitha kushtet dhe ka gjithë mundësitë për ta fituar këtë garë, duke u bërë kështu epiqendra e ngjarjeve kulturore, artistike, sociale, edukative dhe ekonomike jo vetëm në nivel vendor por edhe në atë evropian për vitin 2022.”

Sidoqoftë, besimi shumohet duke u ndarë më gjerë. Këtë besim duhet t’ia shpallim botës mbarë. Madje, madje, do të shtonim që Evropa nuk ka pse të jetë “the limit” i Bashkisë Tiranë. Ama hëpërhë mund të ecim me hapa të vogla, gjersa të përfundojë Pylli Orbital, përmes të cilit të mund ta orbitalizojmë Tiranën drejt çmimesh galaktike. Kjo do të ishte një tjetër “added value” në konstelacionin imagjinar të galaktikës shqiptare, krahas atyre pesë yjeve modestisht verbuese që, për nderin tuaj dhe në një ndër kulmet e protestës tuaj, Kryeministri bujar Edi Rama, Çet Kastrati dhe Grupi Hyatt vendosën me duart e tyre të pastra, për ne dhe për ju, në rrugën tonë të pakthyeshme të qumështit drejt pesëyjëzimit të përjetshëm qejfor, turistik, kulturor, artistik, social, edukativ dhe ekonomik.

LEXO  Zyrtari gjerman, Peter Beyer nxit Këshillin Politik të vijojë punën

Në mbështetje të iniciativës së Bashkisë Tiranë, Exit.al fton studentët protestues të na dërgojnë idetë e tyre tek [email protected] se si mund ta ndihmojmë Kryebashkiakun Veliaj për ta fituar këtë garë. Kjo do të jetë një tjetër “added value” që “në fund të ditës” do t’i shtohet përkushtimit të palodhur të Kryebashkiakut Veliaj për t’i shpallur certifikatat me yll të pranishmëve në cirkun e tij dramatik “tirons”.

Gjithashtu, për efekt të “deadlines”, lutemi ta lini çik protestën, të uleni të mendoni dhe të na dërgoni idetë tuaja brenda datës 18 dhjetor, pasi “deadline” i Bashkisë Tiranë është data 19 dhjetor dhe na duhet një ditë punë për t’i shtypur në letër dhe për t’i hedhur në kosh idetë tuaj.

Studentë, pushojini sado pak protestat dhe bashkohuni si një grusht i vetëm rreth Kryebashkiakut Veliaj në spektaklin e shoqërisë shqiptare në mendjen e tij, ku, në fjalët e Gi Deborit, “dielli nuk perëndon kurrë mbi perandorinë e pasivitetit modern”!

Emaili nga Bashkia Tiranë për Bordin Rinor

Lajme te ngjashme