Këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste në Kukës vendosën dje të mos e diskutojë dhe kundërshtojnë më çështjen e tarifave për kalimin e Rrugës së Kombit për banorët e Kukësit. Megjithëse disa muaj më parë, këshilltarët e Kukësit, të të gjitha partive, i bënë thirrje qytetarëve të protestonin kundër tarifave, dje Gjelbërim Shehu kryetari socialist i Këshillit bashkiak deklaroi se këshilli është dakord me uljen e tarifës në 100 lekë për çdo kalim për qytetarët e qarkut Kukës:
“Në cilësinë e kryetarit të këshillit bashkiak të Kukësit, njoftoj se mbledhja e planifikuar për sot nuk u zhvillua për mungesë të kuorumit. Sqaroj se pika e fundit që kishte të bënte me analizën për tarifën në Rrugën e Kombit quhet e mbyllur. Pas reflektimit nga qeveria dhe koncesionari, tarifa 100 lekë për kuksianët është e pranueshme dhe përballueshme nga të gjithë. Erdhëm në këtë zgjidhje pas negociatave me qeverinë koncesionarin dhe grupet e interesit.”
Mbledhja e tarifave (100 lekë për kalim për banorët e Kukësit dhe tarifat fillestare për pjesën tjetër të popullsisë) do të nisë më 17 shtator. Në të njëjtën ditë, banorët e Kukësit kanë lajmëruar zhvillimin e një proteste masive në rrugën e Kombit, megjithëse kësaj radhe pa mbështetjen e Këshillit Bashkiak.
Si nga Këshilli Bashkiak Kukës, ashtu dhe nga kompania koncesionare apo ministria, nuk është bërë i ditur asnjë studim apo argument se mbi çfarë të dhënash demografike dhe socio-ekonomike është bazuar vendimi për të vënë tarifën 100 lekë për kalim për banorët e qarkut Kukës.
Banorët e këtij qarku, më të varfërit në vend, shprehen se kjo tarifë është barrë ekonomike për ta dhe se nuk ka marrë parasysh nevojën e madhe për transport të të gjithë zonave rurale të qarkut.
Sipas INSTAT, 46,7 për qind e familjeve në qarkun e Kukësit jetojnë me ndihmën ekonomike që marrin nga shteti.
Të ardhurat mujore mesatare për Kukësin janë më të ulëta se në çdo qark tjetër, me një vlerë prej 23 mijë lekësh në muaj për familje, ose 766 lekë në ditë, ku tashmë një pjesë të këtyre të ardhurave do të shkojnë për tarifën e rrugës së Kombit.
Më poshtë po sjellim rastin e dy fshatrave që varen totalisht nga qyteti i Kukësit për të marrë shërbimet e nevojshme të jetës së përditshme dhe duhet të udhëtojnë çdo ditë për në Kukës përmes Rrugës së Kombit:
Fshati Fushë-Arrë, Trullë i Njësisë Administrative Surrojë, nuk ka shkollë 9-vjeçare dhe fëmijët e këtij fshati frekuentojnë shkollat në qytetin e Kukësit, pra bëjnë çdo ditë të paktën dy rrugë, vajtje-ardhje në Rrugën e Kombit. Familjet e këtyrë nxësësve duhet të paguajnë çdo ditë 200 lekë vetëm për tarifat në Rrugën e Kombit, dhe me një mesatare prej 566 lekësh në ditë duhet të mbulojnë të gjithë shpenzimet e tjera të nevojshme.
Po ashtu, banorët e fshatit Trullë-Surrojë i marrin të gjitha shërbimet në qytetin e Kukësit, për shkak të infrastrukturës, pra banorët e këtij fshati e kanë nevojë jetike, lëvizjen dhe kalimin në Rrugën e Kombit, jo më pak se 2 herë në ditë. Sërish, nëse marrim parasysh se të ardhurat mesatare janë 23 mijë lekë për muaj, megjithëse shumë prej këtyre familjeve janë në ndihmë ekonomike që është edhe më e ulët, atëherë të paktën 200 lekë në ditë do të shpenzohen për tarifa, pa marrë parasysh shpenzimet e tjera për transport.
Për më tepër që sipas njoftimit të ri nga kompania Kastrati shpk, banorët e qarkut Kukës kanë mundësi të bëjnë vetëm 44 kalime në muaj (22 rrugë vajtje-ardhje) me tarifën 100 lekë për kalim. Për çdo kalim më tepër, edhe ndaj banorëve të Kukësit do të aplikohet tarifa 5 euro për kalim, ose sa 99 për qind e të ardhurave të tyre ditore mesatare.