Theo Jacobs është ndoshta vëzhguesi ndërkombëtar më i famshëm i procesit të Vetingut. Përplasjet e tij me gjyqtarë e prokurorë gjatë seancave dëgjimore shpesh kanë bërë lajm në media.
Ai konsiderohet si “i “tmerrshëm” apo si “pedant” në punën e tij për pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, a është vërtetë kaq “i ashpër” në letra, sa tregohet me fjalë?
“Boldnews.al” ka marrë në shqyrtim disa nga rastet, ku Zoti Jacobs ka debatuar me magjistratët gjatë seancave dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Theo Jacobs ishte vëzhguesi i procesit të zhvilluar ndaj Prokurores së Përgjithshme (të Përkohshme), Arta Marku. Ai e konsideroi mungesën e znj. Marku në seancë dëgjimore si “mungesë lidershipi”. Kjo shprehje e tij u shndërrua në lajm për median shqiptare. Po më tej?
“Mungesa e lidershipit” për një gjyqtar apo prokuror të thjeshtë nuk përbën shkak për largimin nga detyra. Por në rastin kur ky lidership mungon tek titullari i një institucioni shumë të rëndësishëm, është problem i madh. Gjithësesi, shprehja e Zotit Jacobs nuk shkoi më shumë se thjesht lajm në median shqiptare.
Më pas, Jacobs i drejtoi deklaratat e tij të hidhura prokurorit Gent Trenova. Për prokurorin belg, “….disa herë duhet të zgjedhësh mes dy të këqijave; Ose duhet të thuash që ke fshehur këtë kontratë ose ke bërë deklaratë të rremë”, duke iu referuar një marrëdhënieje që prokurori shqiptar kishte krijuar me familjarët e tij.
Trenova, në terma të përgjithshëm, kishte marrë një kredi për të shlyer një kredi tjetër. As korrupsion, as fshehje pasurie dhe mungesë burimesh të ligjshme. Thjesht kontrata kredie për të siguruar një hapësirë banese më të madhe se 50 metra katrorë.
Por, si z. Jacobs, edhe strukturat e Vetingut e konsideruan shkelje dhe vendosën shkarkimin e prokurorit.
Zoti Jacobs u tregua specifikisht i ashpër me kryetarin e Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, për një shkëmbim mesazhesh nervoze që ky i fundit kishte pasur me një shtetase të njohur të tij.
Në ato mesazhe, Kadana shprehte pakënaqësinë për faktin që e njohura e tij konkurronte për një post pune në administratën e Prokurorisë së Pukës përballë bashkëshortes së tij. Vëzhguesi i ONM Jacobs iu drejtuar gjyqtarit Kadana me shprehjen: “Nuk kam marrë kurrë si ty”.
Por, përtej kësaj shprehjeje, Izet Kadana nuk u shkarkua për shkak të mesazheve jo-etike. KPK konstatoi probleme në pasurinë dhe integritetin e tij personal. Ndërsa, çështja e mesazheve ve nuk ishte shkak për largimin e tij nga detyra. Ato ishin të mjaftueshme për të rritur prezencën “e ashpër” të Zotit Jacobs në median shqiptare.
Vëzhguesi i ONM, Jacobs mori rolin e “mësuesit” përballë ndihmësit ligjor, Artor Ylli, i cili u shkarkua për disa transferta që kishte lejuar në llogarinë e tij, por që i adresoheshin punëdhënësit të mëparshëm.
Zoti Jacobs u shpreh në seancë dëgjimore se “nuk kishte pyetje”, por i shpjegoi subjektit se “jo çdo sjellje ligjore është etike dhe anasjelltas dhe se një gjyqtari do t’i duhet t’i ketë parasysh të dyja”. Si përgjigje, vëzhguesi mori shprehjen me nota ironike nga Ylli: ‘Do i kem në vëmendje gjithë jetën këto leksione”.
Vëzhguesi Jacobs u përball edhe me drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Për këtë subjekt, Zoti Jacobs rezervoi kritika të forta lidhur me burimin e pasurive dhe të të ardhurave të familjes Prela.
Por, përtej qëndrimin deklarativ, Theo Jacobs nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të rekomanduar shkarkimin e Zonjës Prela, pas konfirmimit që ajo mori prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka dorëzuar deri më tani 7 rekomandime për gjyqtarë e prokurorë të konfirmuar në detyrë. Nga ky total, Zoti Jacobs ka rekomanduar shkarkimin vetëm në një rast-atë të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova.
Theo Jacobs kërkoi shkarkimin e Kosovës, pasi, sipas tij, prokurori nuk është treguar i sinqertë në një kontratë të nënshkruar me vëllain e tij, mbi 20 vjet më parë, për shit-blerjen e një automjeti. Vëzhguesi Jacobs mendon se Adnan Kosova duhet shkarkuar, pasi, sipas llogarive të tij, prokurori nuk mbulon plotësisht një shumë prej 500 mijë lekësh.
Theo Jacobs, para se të vinte në Shqipëri, ka qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë, në kuadër të EULEX.
Ai ka ushtruar funksionin e Kryeprokurorit të EULEX-it, në kohën kur ky institucion u përfshi në një skandal korrupsioni të madh, sipas “The Guardian”. Gazeta britanike e konsideroi këtë rast si “krizën më të keqe të politikës së jashtme të Bashkimit Europian”.
Gjithësesi, nuk ka asnjë evidencë zyrtare për përfshirjen e Theo Jacobs në veprime korruptive.
Publikuar më parë tek BoldNews.al.