Presidenti Trump ka emëruar në krye të Inteligjencës Kombëtare Amerikane të dërguarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Lajmin e konfirmoi Trump përmes një postimi në Twitter:
“Jam i lumtur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, RichardGrenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Zbulimit Kombëtar. Richard Grenell ka përfaqësuar SHBA-të jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Grenell, i konsideruar i besuari i Trumpit, do të drejtojë një grup prej 17 agjencishë të sigurisë kombëtare.
New York Times vë në dukje se ai nuk ka ndonjë përvojë të njohur rreth shërbimeve inteligjente apo rreth drejtimit të një departamenti kaq të madh. Grenell njihet si ekspert i politikës së jashtme, ish-zëdhënës në OKB dhe konsulent privat i çështjeve të jashtme. Gjithashtu më parë ai ka qenë komentator në Fox-News.
Grenell, 53-vjeç, do të pasojë në krye të Inteligjencës Kombëtare Joseph Maguirenin. Ky u dorëhoq verën e vitit të shkuar dhe do ta lërë detyrën më 12 mars.
Në vitin 2018, 53-vjeçari u emërua ambassador në Gjermani. Zëri i Amerikës raportoi se ai do të vazhdojë ta mbajë këtë post, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse do të mund të vazhdojë të jetë edhe i dërguar i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi, detyrë të cilën e mori në tetor 2019.
Me ndërmjetësimin e Grenell Kosova dhe Serbia nënshkruan muajin e fundit marrëveshje për rihapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit.