Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka kritikuar të premten kryeministrin Rama sa i takon menaxhimit të pandemisë. Në llogarinë e tij në Facebook, Vasili ka postuar fotot e mjekëve në Belgjikë, të cilët i kthyen shpinën kryeministrit belg.
Vasili u shpreh se të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe mjekët shqiptarë.
Ndërkohë deklaratat e Ramës, Vasili i konsideroi si parodi dhe mashtrime.
“Estradaxhiu i shplarë nuk bëri dot në 8 vjet asgjë për tu kujtuar në shëndetësi, veç bojës së fasadave, koncesioneve masakruese për sistemin dhe zero spitale të reja.
Koleget mjeke e infermiere duhet t’i kthenin shpinën parodisë gënjeshtare të Edi Ramës, ashtu si kolegët e tyre në Bruksel që i kthyen shpinën Kryeministres së Belgjikës”.
Ndërkohë të premten, gjatë një takimi me mjekët e spitalit Infektiv, Rama bëri të ditur se të parët që do të vaksinohen do të jenë mjekët.
Rama pohoi se vaksinimi i mjekëve do të ndodhë në ambientet e stadiumit Air Albania.